Rusi, banda çeçene shpallet fajtore për vrasjen e Nemtsov

29/06/2017 00:00

Një gjykatë në Rusi shpalli fajtorë 5 çeçenë për vrasjen e udhëheqësit të opozitës ruse, Boris Nemtsov.

Zaur Dadayev qëlloi ish-zëvendëskryeministrin, një kritik i presidentit Vladimir Putin, në shkurt të vitit 2015 pranë Kremlinit.

Sipas gjykatës, 4 çeçenë të tjerë vepruan si bashkëpunëtorë, pasi u ishin premtuar 250 mijë dollarë për vrasjen. Dadayev, dikur ishte pjesë e forcave speciale ushtarake nën komandën e presidentit çeçen, Ramzan Kadirov, një aleat i Kremlinit.

Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat, ndërsa të afërmit e Nemtsov druhen se kushdo qoftë urdhëruesi i vrasjes, nuk do të gjendet kurrë.

Autoritetet ruse janë ende në kërkim të një çeçeni të 6, të identifikuar si Ruslan Mukhudinov, që besohet të jetë përfshirë në vrasje. Por avokatët e familjes së Nemtsovit thonë se, hetuesit e çështjes e kanë ekzagjeruar rolin e Mukhudinov dhe se ata që organizuan vrasjen janë njerëz të rëndësishëm.

Familja e Nemtsovit beson se ai u vra për arsye politike, si udhëheqës i opozitës, ndërsa gjykata thjesht u përqëndrua te vrasësit dhe nuk pyeti kurrë se kush e urdhëroi krimin.

Boris Nemtsov shërbeu si zëvendëskryeministër nën presidentin Boris Yeltsin dhe më pas u bë një kritik i Vladimir Putinit. 55-vjeçari u qëllua pas shpine më 27 shkurt të vitit 2015, pasi kthehej nga një emision radiofonik, ku u kishte kërkuar rusëve të dilnin në protesta.

FOTO GALERI
1/1
Zaur Dadayev, personi që qëlloi ish-zëvendëskryeministrin

Top Channel