Nisin zjarret, Emergjencat bëjnë thirrje për kujdes

29/06/2017 00:00

Vatrat e para të zjarreve në pyje si pasojë e temperaturave të larta, janë shfaqur në Qarkun e Fierit dhe Elbasanit. Emergjencat Civile kërkojnë nga pushteti lokal marrjen e menjëhershme të masave për parandalimin e tyre, ndërkohë që instituti i Gjeoshkencave parashikon probleme, edhe sa i takon thatësirës.

“Parashikohet një verë e thatë, e tejzgjatur dhe me temperatura tepër të larta ndaj duhet të bëjmë kujdes me ujin e pijshëm, për të mos abuzuar me depozitat në mënyrë që të mos jemi në një situatë të papërgatitur”, shprehet Shemsi Prençi, drejtor i përgjithshëm i Emergjencave Civile.

Dëmi i shkaktuar nga zjarret në pyje, në një vit përllogaritet miliona euro, ndërsa drejtori i Emergjencave Civile thotë se ndonëse shumica e tyre shkaktohen nga pakujdesia, ka edhe zjarrvënës të qëllimshëm të cilët duhet të ndëshkohen.

“Mbetet t’i bëj thirrje policisë të mbajë në kontroll territorin dhe të hetojë këto raste, vjet në Shëngjin gjetën flakadan të posaçëm për zjarrvënie”, thotë Shemsi Prençi.

Sa i takon zjarreve në zona të thella, përveç angazhimit të helikopterëve të ushtrisë, janë lidhur kontratat edhe me firmat private për ndërhyrjen nga ajri.

Top Channel