Murdoch kërkon “Sky”-n. Në Angli, frikë për pavarësinë e lajmeve

29/06/2017 00:00

Planet e miliarderit Rupert Murdoch, për të marrë drejtimin e kompanisë “Sky” për 15 miliardë dollarë, hasën një pengesë serioze.

Ministrja britanike e Kulturës pranoi se ka shqetësime serioze, se kjo blerje do t’i jepte atij dhe familjes së tij ndikim të madh mbi axhendën e mediave që merren me lajme në vend, e mbi procesin politik.

Karen Bradley deklaroi në Parlament se pranoi rekomandimin e rregullatorëve, që çështjen t’ia kalojë Autoritetit të Konkurrencës dhe Tregjeve për një hetim gjashtëmujor të paktit për blerjen, për shkak të influencës materiale që familja Murdoch do të kishte si pasojë e saj.

Rregullatorët paralajmëruan se, nëse Murdoch blen “Sky”-n, më saktë 61% të aksioneve të kompanisë, pluraliteti i mediave do të reduktohet. Nëse blerja bëhet, Murdoch do të zotëronte entitetin e tretë më të madh në Britani për lajme, pas BBC-së dhe ITN-së, diçka e konfirmuar edhe nga ministrja Bradley.

Më herët, kompania “21 Century Fox” e Murdoch kishte premtuar se do të emëronte një bord të pavarur për të drejtuar “Sky News” për të garantuar pavarësinë e tij të plotë, por duket se autoritetet britanike nuk janë bindur.

Opozita britanike, ndërkohë, sulmoi qeverinë dhe tha se hetimi i blerjes është thjesht një mënyrë për t’i marrë më shumë koncesione James Murdoch, pasi transaksioni s’ka dyshim që do të miratohet.

Sipas opozitës, zor se mund të ketë besim te Murdoch për çështje lajmesh, pas skandaleve me përgjimin e telefonave që bëri një prej kompanive të Murdoch, “News of the World”, që më pas edhe u mbyll për këtë arsye.

Top Channel