
Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein vlerëson zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe e sheh të hapur rrugën për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Ai pret që Rama të dijë si të përdorë pushtetin.
Në intervistën e dhënë “Deutsche Welle”-s, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian iu përgjigj pyetjes së bërë nga gazetari, duke thënë se nuk vendosin nota për zgjedhjet.
“Përshtypja ime e përgjithshme është se zgjedhjet, në masë të madhe ishin të rregullta. Megjithatë kam dëgjuar edhe për raste si blerja e votës, e kjo duhet parë sesi të luftohet, sepse është një çështje sesi do të organizohet një vend, madje deri diku, edhe një çështje nderi për një shtet”, tha Fleckenstein.
Fleckenstein preferon të mos prononcohet mbi pretendimet e Lulzim Bashës për garë të pabarabartë e për parregullsi, sepse preferon të pritet raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR-it.
Por marrëveshja “Rama-Basha” luajti sipas tij rol të madh në faktin që atmosfera e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore. “Tani, kryeministri e ka rrugën e hapur për të mbetur tek imazhi tij”, thotë Fleckenstein. “Ai duhet ta vërtetojë nëse di ta përdorë këtë pushtet”.
Detyrat që qëndrojnë para qeverisë janë zbatimi i vërtetë i Reformës në Drejtësi, ajo duhet të çojë përpara luftën kundër drogës, korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Një pikë tjetër e rëndësishme do të duhet të jetë trajtimi i çështjes së vështirë të pronës dhe gjetja e një zgjidhjeje për këtë.
“Rama nuk ka për t’u ankuar se tavolina e tij e punës do të jetë plot”, vazhdon eurodeputeti gjerman. Sa për negociatat, ai citon Eduard Kukanin të pohojë se, përmirësimi në këto zgjedhje ishte i dukshëm dhe se tani nuk ka si bëhet ndryshe, veçse të thuhet qartë se bisedimet e anëtarësimit duhet të hapen.
“Ndoshta do të kalojnë pak javë e muaj, derisa të ulen të gjithë në një tavolinë, por nuk duhet të vendosim pengesa të reja, – thotë Fleckenstein, – sepse kjo nuk do të ishte e drejtë”.
Top Channel