Abuzimet seksuale, nën akuzë edhe shefi i Thesarit në Vatikan

29/06/2017 00:00

Shefi i Financave të Vatikanit, kardinali George Pell, figura më e lartë katolike e Australisë, përballet në vendin e tij me një aktpadi për abuzime seksuale.

Akuzat, sipas policisë në shtetin e Victorias, lidhen me incidente të vjetra dhe janë bërë nga më shumë se një person.

Si kujdestari i Thesarit në Selinë e Shenjtë, Pell konsiderohet zyrtari i tretë më i lartë i Kishës Katolike. Ai vet mohon me forcë çdo shkelje. Në një deklaratë të lëshuar me këtë rast, nga kisha, thuhet se “kardinali do të kthehet në Australi sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi të këshillohet e të marrë dritën jeshile të mjekëve për të udhëtuar. Ai po e pret ditën e daljes në gjyq, ku do të vetëmbrohet fuqishëm”, vazhdon deklarata.

Vet Papa Françesku ia ka dhënë lejen për t’u kthyer në vendlindje.

“E kam mbajtur Atin e Shenjtë rregullisht të informuar mbi situatën dhe kam folur me të në disa raste gjatë javës së fundit. Kemi biseduar mbi nevojën time për t’u larguar e për të pastruar emrin tim”, tha George Pell, kardinal.

Pell ka qenë për dy dekada me radhë një prej figurave më të zëshme të Kishës Katolike në debatin mbi çështje polemizuese, siç është ajo e homoseksualitetit. Ai është kujdesur gjithashtu edhe për përgjigjet zyrtare që u janë dhënë pretendimeve për abuzime seksuale brenda radhëve të kësaj kishe në Australi.

Kur dëshmoi vitin e kaluar në Komisionin mbretëror përmes një videokonference, sepse ishte shumë i sëmurë për të udhëtuar, disa prej viktimave të abuzimeve fluturuan drejt Romës për ta dëgjuar. Policia nuk ka dhënë detaje mbi akuzat e ngritura ndaj 76-vjeçarit, të cilat datojnë që nga koha kur ishte kryepeshkop në Melbourne, e përpara kësaj prift i thjeshtë në qytetin Ballarat.

Top Channel