
Ushtria venezueliane po kryen kërkime masive për oficerin e rebeluar të policisë, i dyshuar se sulmoi nga helikopteri Gjykatën e Lartë të vendit.
Oficeri Oscar Perez postoi në Instagram një video ku pranonte autorësinë e sulmit dhe u bënte thirrje qytetarëve që të ngrihen kundër qeverisjes së presidentit Nicolas Maduro.
Shtëpia e Perez është kontrolluar nga policia, ndërsa presidenti ka vënë në gatishmëri ushtrinë, pasi e ka cilësuar ngjarjen një “sulm terrorist”.
Aktualisht vendi latin ndodhet i përfshirë nga kriza më e rëndë ekonomike dhe politike, e cila ka shkaktuar një spirale dhune me disa dhjetëra të vdekur.
Sulmi ndaj Gjykatës së Lartë ndodhi pasditen e vonë të së martës, me orën lokale, për fat të mirë pa lënduar njeri.
Një burim policie tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se helikopteri, nga i cili u hodhën granata, është gjetur i braktisur në lokalitetin Higuerote, në brigjet e Karaibeve, por piloti nuk është gjetur.
Në videon e postuar në Instagram, oficeri Oscar Perez u shfaq me uniformë, me disa persona të maskuar dhe të armatosur mbrapa dhe i bënte thirrje qytetarëve të Venezuelës që të ngriheshin kundër “tiranisë”.
Top Channel