SHBA-Gjermani, 70 vite nga “Plani Marshall”

28/06/2017 00:00

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, dhe homologu i saj amerikan, James Mattis, përkujtuan këtë të mërkurë përvjetorin e 70 të “Planit Marshall”. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara theksuan bashkërisht rëndësinë e miqësisë gjermano-amerikane dhe premtuan se do të fuqizonin bashkëpunimin.

Von der Leyen premtoi se Gjermania do të rriste shpenzimet e saj të mbrojtjes, duke iu afruar më shumë objektivit të NATO-s prej dy për qind të GDP-së së vendit.

“Ne gjermanët do të bëjmë më shumë për sigurinë tonë. Ndaj, Gjermania angazhohet për të përmbushur detyrimet e Varshavës dhe Uellsit, e për të arritur nivelin e rekomanduar prej dy për qind të GDP-së për shpenzimet e mbrojtjes”, tha Von der Leyen.

Ndërkohë, Mattis tha se, si SHBA, ashtu edhe NATO duhet të angazhohen me Rusinë, por Moska duhet ta ketë të qartë se “cilat janë vlerat tona dhe se çfarë ne nuk mund të tolerojmë”.

“Plani Marshall” ishte një nismë amerikane për të ndihmuar Europën Perëndimore pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara dhanë 13 miliardë dollarë (me vlerën e sotme afro 130 miliardë dollarë) për rindërtimin e ekonomive.

Plani ishte operativ për 4 vite, duke filluar nga 8 prilli i vitit 1948. Objektivi i Shteteve të Bashkuara ishte të rindërtonte rajonet e shkatërruara nga lufta, të hiqte kufizimet tregtare, të modernizonte industrinë, ta bënte Europën të begatë dhe të parandalonte përhapjen e komunizmit.

Top Channel