Lobisti misterioz Zaikin. Nga rusët e turqit, deri tek LSI

28/06/2017 00:00

David Zaikin është njeriu që ka tërhequr vëmendjen e “Politico”-s, deri në atë pikë sa t’i kushtojë një artikull të gjatë me titull: “Njeriu i mistershëm ndërkombëtar” i lidhur me marrëveshjen e lobimit të Michael Flynn.

Mbi dy vite më parë, – thotë revista prestigjioze, – dy burra nisën të vizitonin Uashingtonin me qëllim promovimin e axhendës turke në kryeqytetin amerikan. Ata darkuan me titullarë e rreshtuan mbështjen e firmave më në zë të lobimit nga të dy krahët.

Nuk ishte ndonjë gjë për t’u shënuar kjo në Uashington, përveç një detaji domethënës: lobisti i fundit, që njëri prej këtyre burrave kishte punësuar, ishte gjenerali Flynn, asokohe eksponent i fuqishëm fushate i Donald Trumpit, i pezulluar më vonë nga detyra e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare për faktin se gënjeu mbi bisedat me ambasadorin e Rusisë.

Klienti i Flynn, biznesmeni turk Ekim Alptekin përfundoi në lupën e hetuesve federalë, që po shqyrtojnë mungesën e transparancës së gjeneralit në raport me kontaktet e jashtme.

Ndërsa personi tjetër i përfshirë në përpjekjet proturke ka arritur ta shmangë deri tani vëmendjen publike, gjë që për “Politico”-n e kthen këtë individ në një figurë intriguese të misterit që rrethon ndikimin e huaj në Uashington.

Dmitri “David” Zaikin nuk është regjistruar si lobist i jashtëm e nuk ka ndonjë lidhje të dukshme me Turqinë. Ajo që ka, – sipas “Politico”-s, – është një listë e gjatë partneriteti me biznesmenë të fuqishëm dhe zyrtarë qeveritarë rusë, pjesa dërrmuese të përfshirë në marrëveshje të energjisë dhe minierave.

Së fundi, ndërsa punonte për Turqinë, Zaikin ka lobuar për VMRO-DPMNE-në, që duket se është afruar këto kohë me Kremlinin, dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim në Shqipëri. Ky person, – vazhdon “Politico”, – ka gjithashtu lidhje biznesi me Trumpin.

Kur punonte në një agjenci të pasurive të paluajtshme në Toronton e viteve 2000, ai pati ndërmjetësuar shitjen e “Trump International Hotel” dhe “Trump Tower”.

Ndoshta ishte koinçidencë, – vazhdon si me ironi revista, – që Zaikin ka pasur lidhje të ngushta edhe me një femër ruse, e cila ishte agjentja ekskluzive e njërit prej bizneseve të Trumpit në Florida, e përshkrohej nga një gazetë në Rusi si “dora ruse” e miliarderit njujorkez.

Top Channel