
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson prezantoi raportin mbi trafikimin e personave për vitin 2017, ku flitet edhe për Shqipërinë në këtë kuadër.
Sipas raportit të Departamentit të Shtetit, Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë.
Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, e si pasojë, Shqipëria mbeti në grupin 2 të klasifikimit.
Raporti nënvizon se ekzekutivi shqiptar demonstroi përpjekje në rritje, duke ndjekur penalisht dhe dënuar më shumë trafikantë, e duke përdorur për herë të parë “fondin e posaçëm” të saj për mbrojtjen e viktimave nga asetet e sekuestruara prej trafikantëve.
Qeveria rriti financimin për Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim (ZKKA) dhe rregullisht mblodhi aktorët e mekanizmit kombëtar të referimit dhe komitetit antitrafikim.
Megjithatë, – vijon raporti, – qeveria nuk arriti të përmbushë standardet minimale në disa fusha kyçe. Policia vazhdon të shfaqë kuptim të kufizuar të trafikimit njerëzor dhe dështoi në disa raste të identifikonte viktimat e trafikimit mes individëve të përfshirë në prostitucion të detyruar, apo si shërbëtorë shtëpie.
Qeveria hetoi dy viktima dhe dënoi një viktimë për akte të jashtëligjshme, të kryera si rezultat i nënshtrimit ndaj trafikimit, edhe pse ligji përjashton viktimat nga ndëshkimi për krime të kryera si pasojë e shfrytëzimit të tyre.
Top Channel