Pavarësia e Skocisë, shtyhen planet për referendumin

27/06/2017 00:00

Nicola Sturgeon do të shtyjë planet për një referendum të dytë mbi Pavarësinë e Skocisë. Kryeministrja kishte kërkuar që një referendum për pavarësinë të mbahej në vjeshtën e vitit 2018, ose në pranverën e vitit 2019. Por, ajo ka rishikuar qëndrimin e saj pasi humbi 21 vende në Parlament në zgjedhjet e këtij muaji.

Sturgeon tha se ajo nuk do të kërkonte menjëherë miratimin e legjislacionit për një referendum, por qeveria do të priste të paktën deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, edhe pse sërish do të ketë nevojë për lejen e qeverisë britanike në mënyrë që vota të mbahet.

E deri atëherë, Sturgeon tha se do të dyfishonte përpjekjet për të siguruar marrëveshjen më të mirë të mundshme të “Brexit”-it për Skocinë dhe për ta mbajtur vendin në tregun e përbashkët europian. Sidoqoftë, Sturgeon nënvizoi se ajo mbetej e angazhuar që Skocia të kishte zë për të zgjedhur të ardhmen e vet, në fund të procesit të “Brexit”-it.

“Ne mbetemi të përkushtuar për t’i dhënë Skocisë një zgjedhje në fund të këtij procesi. Por, unë dua të garantoj njerëzit se, propozimi ynë nuk ka të bëjë me një referendum tani, ose para se të qartësohet situata, por që t’u japim atyre një mundësi zgjedhjeje në fund të procesit, kur çdo gjë të jetë e qartë”, tha Nicola Sturgeon.

Më herët, kryeministrja britanike Theresa May i kishte kërkuar Sturgeon ta përjashtonte plotësisht mundësinë e një referendumi të dytë. Sturgeon kishte thënë se perspektiva e një referendumi për pavarësinë ishte një faktor në rezultatin në zgjedhje, që bëri që votat e partisë së saj të binin nga 50 në 37 për qind. Sidoqoftë, partia “SNP” mbetet partia më e madhe në Skoci, pasi fitoi 35 nga 59 vendet e Skocisë në “Westminster”.

Top Channel