
Të dhënat e fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se deri në orën 7:30 të së martës janë numëruar 5.112 kuti nga 5.362 gjithësej.
Zëdhënësja e KQZ-së ka bërë me dije se janë numëruar 95.34 për qind e votave dhe se kutitë e mbetura janë në rrethet e vendit.
Nga numërimi i deritanishëm, PS ka siguruar 74 mandate, PD 43, LSI 19, PDIU 3 mandate dhe PSD 1 mandat.
Në Tiranë janë ende disa dhjetëra kuti pa u numëruar. Në njësinë 5, në shkollën “Vasil Shanto” paraditen e sotme pati tensione për shkak të personave të paautorizuar në sallën e numërimit. Pas ndërhyrjes së policisë situta është qetësuar.
Elbasani është një nga zonat që ende po numëron votat. Për shkak të pushimeve të gjata që morën numëruesit, procesi e tejkaloi afatin ligjor. Në mëngjes, kur ende s’kishte nisur numërimi ndodhi një incident pranë qendrës së numërimit.
Ndërkohë, Kavaja e mbylli numërimin për zgjedhjet parlamentare, por sot nis numërimi për zgjedhjen e kryebashkiakut.
Top Channel