Adhurues të Harry Potterit u mblodhën të hënën në librarinë “Waterstones Piccadilly” të Londrës, për të kremtuar 20-vjetorin e botimit të librit të parë të magjistarit të vogël, që rrëmbeu zemrat e fëmijëve e të të rriturve “Harry Potter dhe guri filozofik”.

Libraria nxori në shitje rreth 100 bileta për shfaqjen, ku fansat kanë mundur të votojnë mbi shtëpinë e tyre të preferuar të Hogëarts, personazhit më të dashur dhe kujtimin më të mirë. Kishte edhe një “quiz” mbi Harry Potterin dhe një sfidë vizatimi për krijimin e një fantazme të re, e cila do të vendoset në shkollën imagjinare të Hogëarts.

Shumë nga pjesëmarrësit kishin arsye personale, përse e konsiderojnë librin dhe filmin e mbështetur tek ai, si tejet të rëndësishëm për ta.

“Nuk e lexova që në fillim, sepse kisha disleksi, ndaj e urreja leximin. Por nëna ime nisi të ma lexonte dhe në kohën kur doli libri i dytë, ia shkula nga duart dhe fillova ta lexoj vet. Kjo është praktikisht arsyeja përse unë fillova të lexoj”, tha Melisa Kumas, adhuruese.

“Unë jam rritur me Harry Potterin. Ai ka shënjuar fëmijërinë time, e praktikisht edhe adoleshencën. 20 vite është një numër i madh”, tha Violeta Guerrero, adhuruese.

Stephen Haskins, koordinator te “Waterstones Piccadilly”, shpjegon përse libri është kaq popullor edhe pas 20 vitesh.

“Është një libër që i bashkon njerëzit, ka ndërtuar një komunitet, ka ndërtuar një botë. Dhe fuqinë që ka nuk e përshkruan dot me fjalë. Ndien ende të njëjtën lidhje që krijonte përpara dy dekadash, është absolutisht fantastik”, tha Stephen Haskins, koordinator.

“Harry Potter dhe guri filozofik” u botua për herë të parë 26 qershorin e vitit 1997.

Top Channel