
Fitorja e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës ka një simbolikë të veçantë për shkak të rezultateve të arritura krahasuar me proceset e mëparshme elektorale.
Kjo forcë politike, e vetme arriti të marrë 8 mandate deputetësh nga 12 që ishin në total. Kjo do të thotë 2 deputetë më shumë se në vitet 2013 dhe në vitin 2009.
Gjithashtu, si subjekt politik, Partia Socialiste ka arritur të marrë 13% më shumë vota sesa në dy zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Në qarkun e Vlorës është shënuar përqindja më e lartë e mbështetjes ndaj PS në rang qarqesh me 60%.
Partia Socialiste arriti të dalë forcë e parë politike me 45.94% të votave edhe në Bashkinë e Delvinës, e cila drejtohet prej Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Partia kryesore e së majtës fitoi me 64.29% edhe në Bashkinë e Selenicës, e cila aktualisht drejtohet prej Partisë Demokratike.
Elementë të tjerë të veçantë të qarkut kanë të bëjnë me faktin se numri dy i demokratëve Arben Ristani mbeti jashtë Parlamentit, ashtu sikurse ish-deputeti çam Dashamir Tahiri.
Mandat nuk arriti të siguronte as ish-deputeti i PDIU-së Tahir Muhedini. Rezultati i zgjedhjeve la pa mandate deputeti edhe ministrin në detyrë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sokol Dervishaj.
Top Channel