
Donald Trump shkeli një traditë pothuajse 20-vjeçare, duke mos shtruar darkën e iftarit, një shfaqje e organizuar nga Shtëpia e Bardhë që prej kohës kur në krye të saj ka qenë Bill Clinton.
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson thuhet të ketë refuzuar kërkesën e organizimit të një pritjeje. Në muajin mars, “Reuters” pati raportuar se Tillerson e kishte hedhur poshtë rekomandimin e zyrës së DASH për fenë dhe çështjet globale, që të zhvillohej një lloj kremtimi me rastin e festës myslimane.
Trump njihet për retorikat e tij antiislamike, e gjatë fushatës pati bërë thirrje për mbikëqyrjen e të gjitha xhamive në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ai nuk la pa e nxjerrë një deklaratë, ku i përcillte urimet e veta besimtarëve që kremtojnë Fiter Bajramin.
“Gjatë kësaj feste, – shkruante Trump, – na kujtohet rëndësia e mëshirës, dhembshurisë dhe dashamirësisë. Me të gjithë myslimanët anekënd botës, Shtetet e Bashkuara e ripërtërijnë angazhimin e tyre për t’i respektuar vlera të tilla. Eid Mubarak, gëzuar Fiter Bajramin”, përfundon mesazhi i presidentit.
Tillerson nxori gjithashtu një deklaratë të shkurtër, ku iu uronte të gjithë myslimanëve që e festojnë këtë ditë të shënuar në kalendarin islamik dhe vetëm kaq. Darkën e iftarit në Shtëpinë e Bardhë e kanë organizuar rregullisht 3 presidentët e fundit, përfshirë Barack Obamën.
Por i pari që ka shtruar një pritje të tillë ka qenë Thomas Jefferson në vitin 1805, i cili u përpoq të nderonte në këtë mënyrë një të dërguar tunizian. Traditën e risolli Hillary Clinton në vitin 1996, në kohën kur ishte ishte Zonjë e Parë e vendit.
Top Channel