“NYT”: Pretendentët e mëdhenj të zgjedhjeve

25/06/2017 00:00

Në sytë tanë, politikanët kryesorë të vendit janë figura të zbërthyera tashmë. Por, si i sheh media e huaj pretendentët e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve?

“New York Times” bën një profil të shkurtër të tri udhëheqësve qëndrorë të skenës politike shqiptare, njëkohësisht figura kyçe të këtyre zgjedhjeve.

“Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, – shkruan gazeta prestigjioze, – bëri emër si njeriu që i dha energji dhe ngjyra të reja kryeqytetit shqiptar e pamjes së tij të dikurshme të epokës komuniste. Tani kërkon një mandat të dytë si kryeministër”.

Mandati i parë i socialistëve, në këndvështrimin e “New York Times” u shenjua nga një zhvillim i mëtejshëm ekonomik dhe përmirësime të ndjeshme të qendrave të qyteteve në mbarë vendin.

Çfarë premton Rama? Vendosjen e objektivit të një rritjeje të përvitshme prej më shumë se 5%, nga 3.5% që është aktualisht, dhe reduktimin e borxhit kombëtar, ndërkohë që socialistët mburren po ashtu me suksesin e reformave në sektorin e energjisë dhe atë të bujqësisë.

Ajo çfarë kërkohet më shumë, megjithatë, është një mandat i fuqishëm për të avancuar një axhendë moderne, të përqëndruar te korrupsioni dhe Reforma në Drejtësi, e cila përbën edhe shqetësimin kryesor të Bashkimit Europian.

Kur përmend Lulzim Bashën, artikulli i referohet si kryebashkiaku numër 2, por nuk bën ndonjë referim të mëtejshëm ndaj punës së tij në krye të këtij institucioni. Ajo që i tërheq vëmendjen ama është mosha e tij: vetëm 43 vjeç.

Fushatën e Bashës, gazeta e përmbledh në dy pika kyçe: taksa më të ulëta dhe platformën antikorrupsion. “Akuzat kryesore të Bashës ndaj Ramës, – kujton ajo, – ishin dështimi për të luftuar problemin e madh të trafikut të drogës, e madje edhe pretendimet për lidhje me krimin e organizuar”.

Nga premtimet e demokratëve, në veshin e gazetarit të “NYT” ka rënë më së shumti ai i taksës së sheshtë prej 9%, ushqimi falas në shkollë, një ripërtëritje e sistemit shëndetësor. Në thelb, manifesti i tyre është një zotim për ulje të pabarazisë sociale.

Sa për Ilir Metën, prestigjiozja amerikane nënvizon se ai vet nuk garon në këto zgjedhje, por ka qenë sigurisht fytyra e padiskutueshme e LSI-së gjatë fushatës.

“Ish-kryeministër, veteran e politikan i politikës post-komuniste, e së fundi President i zgjedhur i vendit”, thotë “NYT”. Meta ka qenë dy herë “kingmaker” në qeveritë e koalicionit; një herë për demokratët, tjetrën për rivalët e tyre socialistë. Ama këtë herë është vetëm atje jashtë.

Të dyja pretendentet e mëdha në zgjedhjet e kësaj të diele e kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend të krijojnë këtë herë një koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Top Channel