Virozat e verës, në QSUT qindra fëmijë

24/06/2017 00:00

Temperaturat e larta të këtyre ditëve qershori kanë rritur numrin e pacientëve të vegjël që kërkojnë ndihmë në shërbimin e pediatrisë në QSUT.

350 vizita në ditë regjistrojnë mjekët në urgjencën e shërbimit të pediatrisë.

“Stina e verës ka një shtim të numrit të paraqitjeve të rasteve të fëmijëve që janë me diarre dhe të vjella që janë me origjina të ndryshme. Pastërtia është mjeti kryesor që mund të mbrohemi nga infeksionet që merren nga kontaminimi të duarve”, thotë Rajda Petrela, mjeke pediatre.
 
Mjekët e shërbimit të pediatrisë i kërkojnë ministrisë që gjatë sezonit të verës të hapen qendrat e rehidrimit pranë poliklinikave në mënyrë që të mos drejtohen të gjithë në QSUT.

“Mjeku i familjes, ku merret edhe këshilla e parë, një fëmijë që është nën 38 gradë mund të marrë këshillën e parë dhe vizitën e parë. Të ringrihen pikat e rehidrimin, pasi e gjithë Tirana vjen në QSUT dhe bëhet e pamundur menaxhimi i situatës”, deklaron pediatrja Petrela.

Mjekët u kërkojnë qytetarëve të bëjnë kujdes edhe kur dërgojnë fëmijët në pishina, pasi shumë infeksione merren prej tyre po nga ana tjetër duhet  të tregohen të vëmendshëm me konsumin e ushqimeve.

Top Channel