Basha në Krujë dhe Fushë-Krujë: Të dielën votohet për ekonominë

23/06/2017 00:00

Lulzim Basha bashkëbisedoi sot me qytetarë të Krujës dhe Fushë-Krujës.

Në një bashkëbisedim me Ilir Ndreun, i cili ka një market të vogël në Krujë me të cilin mban familjen, Basha siguroi se synimi i planit të tij ekonomik, është që tregtarët të kursejnë, të zgjerojnë biznesin dhe të marrin dikë në punë.

Plani im, tha Basha, do të ndezë motorrët e ekonomisë. Kreu i opozitës shpjegoi se taksat e ulta jo vetëm do të forcojnë ekonominë e qytetarëve, por sjellin edhe më shumë të ardhura në shtet për shkak të rritjes së prodhimit dhe të zhdukjes së informalitetit.

Basha u ndal edhe tek furrxhiu më i vjetër i Krujës, Kujtim Hoxha, një biznes që ai e ka trashëguar nga të parët. Kujtimi thotë se kërkon ndryshim, pasi aktualisht mezi po paguan paratë për miellin, ngaqë nuk ka punë. Lulzim Basha i ka sqaruar banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës se të dielën votohet për ekonominë. Basha u tha se, me planin e tij ekonomik, njerëzit do të kenë më shumë para në xhepat e tyre, do ulen taksat, do rritet konsumi, do rritet prodhimi dhe gjithë zinxhiri do vihet në lëvizje.

Po ashtu, Basha i siguroi qytetarët se paratë e shqiptarëve nuk do të shkojnë për fasada e pllaka sipas tekave të kryeministrit, por vetëm për interesat e njerëzve, për të rritur pensionet, pagat, për t’u siguruar të sapodiplomuarve stazhe të paguara çdo vit dhe për të garantuar shkolla të modelit europian që kujdesen për fëmijët deri në orën 16.00 dhe ofrojnë dhe drekë të mbuluar nga shteti.

Top Channel