Asnjë leje të dënuarve për zgjedhjet

21/06/2017 00:00

Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Burgut të Beratit, Arif Dervishi, si dhe drejtorin e Burgut të Kavajës, Durim Perja, me motivacionin e përdorimit të veprimtarisë së institucionit për qëllime politike, pjesëmarrjes së paligjshme në fushatë zgjedhore dhe keqmenaxhimit të institucionit.

Por drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve thotë se janë marrë masa, që në fushatë të mos përfshihen as të dënuarit, pasi janë pezulluar lejet.

“Ju garantoj se asnjë i paraburgosur apo i dënuar nuk ka qenë pjesë e asnjë veprimtarie politike, pasi nuk kanë mundur të dalin dot nga institucioni, në bazë të urdhrit që ne kemi lëshuar. Ky ka qenë precedent edhe në vitet e kaluara”, tha Arjan Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Në intervistën e dhënë për Top Channel, Hoxha thotë se përveç përfshirjes në fushatë, disa drejtorë dhe shefa janë shkarkuar për shkelje të rënda.

“Pjesa dërmuese e drejtorëve, por edhe punonjësve të tjerë, janë shkarkuar për shkelje të rënda të konstatuara në këto institucione, siç janë raste flagrante të fikjes së kamerave me qëllim. Kemi pasur raste kur ishin pranuar dhe vazhdonin detyrën punonjës apo shefa policie të cilët ishin të dënuar me vendim gjykate për trafik droge, falsifikim dokumentesh e për krime të tjera. I binte që i dënuari ruante të dënuarin”, tha më tej Hoxha.

Edhe në burgje, të dielën, rreth 2.200 të dënuar që nuk preken nga ligji i dekriminalizimit do të kenë të drejtën e votës.

Top Channel