18 vjet në shtëpi kartoni

20/06/2017 00:00

Familja e Anton Gjokës prej 18 vitesh jeton e zhytur në mjerim në një banesë, e cila nuk plotëson asnjë kusht minimal për banim.

I detyruar nga skamja Antoni është detyruar të lerë dy fëmijët më të rritur në një jetimore në qytetin e Kurbinit, ndërsa nuk kanë mundur të largojnë më të voglën e cila tashmë vuan nga anemia e theksuar dhe nga ftohja e vazhdueshme që merr në një shtëpi ku çfarë bie jashtë bie edhe brenda.

18 vjet më parë familja Gjoka u vendos në fshatin Fushë Kuqe për një jetë më të mirë, duke ndërtuar fillimisht një banesë që u mendua si provizore. Por, ndryshe nga pritshmëritë asnjëherë nuk arritën të përmirësojnë kushtet e banimit, pasi të ardhurat financiare janë vetëm 40 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike.

Nëna e tre fëmijëve tregon me lot në sy se si skamja e detyroi të largojë fëmijët nga vetja. Sot ëndrra e saj është ribashkimi i familjes dhe jetesa në një banesë më të përshtatshme. “Jetoj në një banesë të lagësht e të ftohtë e ku muret janë të veshur me kartonë, çfarë bie jashtë bie edhe brenda. Ky dimër ka qenë i vështirë, prandaj edhe vajza 6 vjeçare ka qenë shpesh e sëmur dhe jam detyruar ta çoj në spital me lekë borxh”, tregon Liljana Gjoka.

Gazetarët e Fiks Fare pas vizitës në familjen Gjoka shkuan pranë bashkisë Kurbin, ku përfaqësuesi i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median z.Bektash Zeneli u shpreh se institucioni që përfaqëson nuk është në dijeni për gjendjen e vështirë të familjes Gjoka, edhe pse ajo trajtohet me ndihmë ekonomike. Zëdhënësi i bashkisë së Kurbinit premtoi impenjim maksimal për të ndihmuar familjen e varfër dhe se konstatimi në terren do të bëhej menjëherë.

Të nesërmen përfaqësuesit e bashkisë, por edhe kryetari i Njësisë Administrative “Fushë Kuqe” Kristo Martinaj, vizituan familjen Gjoka për të konstatuar gjendjen dhe premtuan se do të marrin masa të menjëhershme.

Deri më tani familja Gjoka është ndihmuar me ushqime, veshmbathje si edhe një pagesë prej 193 mijë lekë të vjetra nga Bashkia Kurbin.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel