
Ringritja e Tiranës nis me një afrim të madh në stol. Pas largimit të Mirel Josës, bardheblutë janë pranë akordit me trajnerin Jose Marcelo Ferreira, i njohur gjërësisht në botën e futbollit si Ze Maria.
Sipas SuperSport, braziliani 43-vjeçar pritet të mbërrijë në Tiranë për të mbyllur marrëveshjen, me negociatat që janë në fazë të avancuar. Sipas burimeve pranë bardhebluve, klubi i ka prerë biletën e avionit, ndërsa mbeten për tu zgjidhur vetëm detajet e kontratës.
Ze Maria është i njohur në arenën ndërkombëtare, por edhe në Shqipëri për faktin se ka luajtur në Serinë A fillimisht me Parmën dhe Perugian, ndërsa kulmi i karrierës së tij ishte aktivizimi te Interi, nga viti 2004 deri më 2006-ën. Në nivel klubesh, ish-mbrojtësi i djathtë është aktivizuar në Brazil me klubet më të rëndësishme në vend, nga Flamengo te Vasco da Gama, për të vijuar me Palmeiras dhe Cruzeiron.
Ze Maria numëron edhe 25 ndeshje të luajtura me përfaqësuesen e Brazilit. Edhe pse nuk ka luajtur në asnjë botëror, me “seleçaon” ai është shpallur fitues i Kupës së Konfederatave dhe i Kupës së Amerikës. Në vitin 2010, Ze Maria nisi karrierën si trajner, me dy aventura të shkurtëra në kategorinë e katërt italiane, fillimisht te Group Castello dhe më pas te Catanzaro.
Në 2015-ën braziliani u emërua në stolin e rumunëve të Ceahlaul, që militonte në ligën e parë rumune dhe prej falimentimit klubi zbriti në kategoritë e ulëta të këtij vendi. Vetëm pak ditë më parë ai dha dorëheqjen nga posti te Gor Mahia, klubi nga Nairobi që militon në Premierligën e Kenias.
Top Channel