
Prej vitesh në vendin tonë ka një shkollë trajningu, e cila u jep mundësinë trajnerëve shqiptarë, por edhe të huaj që janë rezidentë, që të marrin licencën e nivelit më të lartë në Europë.
Një të tillë ka marrë edhe Paolo Tramezzani, sot trajneri i Sionit në Zvicër, por licencën për të drejtuar një klub të këtij niveli, ish-zëvendëstrajneri i përfaqësueses shqiptare e ka bërë pikërisht në Shqipëri, në Kamëz.
“Zëvendëstrajneri i Shqipërisë ka marrë pikërisht në Shqipëri dy licencat e trajningut, atë A dhe Pro të UEFA-s. Fakti që i ka bërë në Shqipëri nuk e ka penguar aspak mesa duket dhe këtë e tregon kontrata e tij e re. Rëndësi ka të ketë licencën, jo ku e ka bërë”, thotë Astrit Maci, përgjegjës i Sektorit të Edukimit në FSHF.
Prej vitit 2013, kursi i UEFA-s Pro bëhet në vendin tonë, i barazvlefshëm me të gjitha licencat e vendeve të tjera europiane. Prej rreth 4 vitesh, kjo shkollë trajningu ka nxjerrë rreth 70 trajnerë të këtij niveli, që është i detyrueshëm për të drejtuar një skuadër Superioreje.
“Kjo licencë është e njëjtë në të gjitha vendet europiane dhe nuk shkruan ‘Licencë B, A apo Pro Shqipëri’, por thjesht licencë ‘UEFA Pro’. Njihet dhe është e njëjtë në të gjitha vendet anëtare të UEFA-s që kanë firmosur marrëveshjen”, tha më tej Astrit Maci.
Të gjithë trajnerët e pajisur me licencën Pro mund të drejtojnë edhe perfaqësuesen. Maci, për këtë pjesë garanton nivelin, ndërkohë që zgjedhjet për trajnerin lidhen edhe me objektivin se ku pretendohet të shkohet me skuadrën.
“Unë mund të garantoj që kjo shkollë ka nivelin e duhur dhe në fakt vet trajnerët e kanë treguar duke kaluar ture në Europë me klubet, gjë që nuk e kanë bërë dot as trajnerët e huaj në Shqipëri. Ne, jo se kemi kampionat të bukur, por e kemi të fortë. Pastaj për të zgjedhur në Kombëtare duhet parë objektivi dhe çfarë kandidatësh ka”, tha Astrit Maci.
Top Channel