Donnarumma, edhe Juventusi “në valle”

16/06/2017 00:00

Në Spanjë janë të bindur; e ardhmja e Gigio Donnarummas është tek Reali i Madridit, por mediat sportive italiane raportojnë se Juventusi është vënë në lëvizje fill pas refuzimit të rinovimit të kontratës me Milanin nga ana e portierit 18-vjeçar.

Gazzetta Dello Sport shkruan se pak pas këtij lajmi ka patur një takim mes drejtorit sportiv të Juventusit, Beppe Marotta dhe Mino Raiolas, agjentit të Donnarummas.

Zyrtarisht u tha se në këtë takim është diskutuar në lidhje me kontratën e Moise Kean, një tjetër talent nën tutelën e Raiolas dhe pjesë e bardhezinjëve, por zërat se në këtë takim është folur edhe për portierin e Milanit i shtoi fakti që Juventusi ka pezulluar thuajse në të njëjtën orë negociatat me Arsenalin për portierin Szczesny.

Transferta në këtë fazë duket e pamundur, për faktin që nëse do të mbërrinte në Torino, Donnarumma nuk do ta kishte të sigurtë vendin e titullarit, pasi Buffon ka edhe një tjetër vit kontratë me bardhezinjtë.

Donnarumma cilësohet si pasaardhësi i kapitenit të Juventusit tek Italia dhe për këtë ka marrë edhe vetë “bekimin” e Buffon, por nëse tek Italia do të zëvendësojë atë kokë për kokë, mbetet për t’u parë gjatë kësaj merkatoje nëse do të bëjë të njëjtën gjë edhe tek bardhezinjtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB