Veliaj: Të angazhuar të investojmë në çdo njësi

15/06/2017 00:00

Bashkia e Tiranës përveç qendrës ka investuar edhe në zonat periferike ku sipas kryebashkiakut Veliaj nuk ka patur investime prej vitesh.

Veliaj inspektoi ndërtimin e 18 rrugëve lidhëse në zonën e Alliasit, si dhe punimet që po kryhen për rehabilitimin e Bregut të Lumit. Investimet jane ne njësitë 4, 8, 9 dhe 11. Veliaj tha se investimi rriti vlerën e pronës në këto zona dhe siguroi se projektet do të shtrihen në të gjitha njësitë e kryeqytetit për ndërtimin e rrugëve, çerdheve dhe shkollave të reja.

“Shumë banesa që konsideroheshin vetëm banesa me mure të larta, sot quhen vila, pa e ndryshuar formën e ndërtesës, por vetëm nga fakti se kanë ulur gardhet, kanë vendosur kangjella, kanë mbjellë lule, është zhvendosur trotuari, janë bërë veshjet me pllakë etj. Angazhimi i Bashkisë së Tiranës është që, siç kemi bërë në Njësinë 4 me rregullimin e 18 rrugëve, me shkollën e re ‘Ardian Klosi’, me çerdhen, me kopshtin, me qendrën sociale, me kompleksin e qendrës shëndetësore, kështu do të vazhdojmë edhe në Njësinë 8, në Njësinë 9 dhe në Njësinë 11, për t’u siguruar që zona e Bregut të Lumit, nga një zonë totalisht e degraduar, të jetë një nga zonat më të preferuara të qytetit”, tha Veliaj.

Veliaj tha se pas procesit të legalizimit do të vijohet me urbanizimin e të gjitha lagjeve te zona e Bregut të Lumit.

“Kemi bërë shumë në këto dy vite me mbështetjen e Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare. Imagjino sa blloqe të tilla mund të bëjmë nëse vazhdojmë me këtë mbështetje në datën 25 qershor. Unë si Kryetar Bashkie dhe administrator i këtij qyteti i kërkoj qytetarëve të Bregut të Lumit në njësinë 8, 9, 11 dhe 4 të na ndihmojnë që të vazhdojmë me PS. Të vazhdojmë me Edi Ramën, duke pasur një derë të hapur në qeveri, siç kemi punuar në këtë bllok me 18 rrugë dhe i kemi rritur disa herë vlerën pronën, siç kemi punuar në Pazar të Ri dhe i kemi rritur disa herë vlerën pronës, siç kemi punuar tek Bregu i Lumit, që preket nga projekti i Bulevardit të Ri në njësinë 9 dhe i është shtuar vlera pronës. Imagjinoni se çfarë mund të bëjmë në 2 vitet e ardhshme për Tiranën me një qeveri të fortë dhe me Edi Ramën, që e mbështet me të dyja duart fuqishëm qytetin tonë”, deklaroi ai.

Top Channel