Kreditimi i bujqësisë, vetëm 1.5 përqind

15/06/2017 00:00

Valter Hyka menaxhon një sipërmarrje me cikël të mbyllur, nga prodhimi tek tregtimi i qumështit. Ndihma financiare për të do të ishte e mirëpritur, por ai pranon se marrëdhënien me banken e ka të vështirë.

“Kur aplikojmë për kredi dokumentat që kërkohen janë një mal i tërë”, thotë ai.
 
Kreditimi për bujqësinë mbetet ende i ulët dhe sipas Bankës së Shqipërisë vazhdon të zërë peshë të papërfillshme në portofolin total të kredisë, sa 1.5  përqindëshi.

“Për momentin është gjykuar sektor me risk të lartë”, thotë Sabina Gjinali, përfaqësuese SG Albania.

Kohë më parë qeveria shqiptare prezantoi një instrument të ri financiar që e ndan këtë risk mes saj, BERZH-it dhe bankave të nivelit të dytë.

“Fondi synonte t’u jepte bankave qetësinë e domosdoshme për të kredituar një sektor me një risk jashtëzakonisht të lartë, gjë që i mbante të frenuara bankat. Ky ishte ai që cilësohet si cash kolateral, sidomos kur një pjesë e madhe e sipërmarrjeve vuanin edhe nga certifikata e pronësisë”, thotë Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë.
 
Por projekti i 2015 duket se ka mbetur ende në një stad fillestar. Deri tani janë lëvruar vetëm 8.5 milionë euro nga 180 milionë euro që duhen disbursuar në 3 vite. Atëherë çfarë nuk funksionon? Përse kreditimi mbetet sërish i ulët? Për Valter Hykën, fermerin prej 7 vitesh, problemet janë dhe më të mëdha.

“Edhe kur aprovohen, normat janë shumë të larta. Për bujqësinë nevojiten norma më të ulta”, thotë ai.

Por këtë pikë bankat duket se nuk kanë ndër mend ta negociojnë, çka reflektohet në shifrat e ulta të kreditimit. 

“Unë kam kërkuar dhe negociuar me bankat që në paketën e marrëveshjes me BERZH-in të përfshihet edhe ulja e interesave. Ata kanë rezistuar dhe kanë pretenduar se kjo paketë amortizon riskun dhe norma e interesit duhet të jetë në negociim mes tyre dhe kredimarrësit”, thotë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Për ministrin e Bujqësisë ka vetëm një zgjidhje.

“Unë mendoj se bankat duhet ta ulin normën e interesit në 2 përqind, të kthehen në banka investimi. Ato nuk janë arka kursimi. Ajo që kërkoj nga institucionet e kreditit është që normat e interesit të mos jenë fajde, sepse nëse aplikohen norma 23 përqind. Kjo nuk quhet kredi, por quhet fajde. E kane ulur në 11 përqind, por duhet të shkojnë përtej kësaj”, shton ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA