Denoncimi i shkeljeve, KQZ prezanton aplikacionin online

14/06/2017 00:00

Përveç ashpërsimit në Kodin Penal, tashmë shit-blerja e votës apo fotografimi i saj në qendrën e votimit bëhet edhe më i vështirë.

KQZ ka prezantuar aplikacionin “Voto 2017”, një mundësi për çdo qytetar që të mund të raportojë dhe denoncojë çdo shkelje gjatë procesit zgjedhor, duke nisur nga shit-blerja e votës, fotografimi apo vepra të tjera që sot dënohen edhe me ligj.

Aplikacioni shoqërohet edhe me një linjë telefonike falas për ata qytetarë që nuk janë familjarë me teknologjitë, të cilët mund të telefonojnë falas në numrin 0800 0803, për të denoncuar aty çdo rast shkeljeje.

Linja falas dhe aplikacioni “Voto 2017” u mbështet nga Këshilli i Europës dhe në të mund të ndiqet live në kohë reale i gjithë procesi i votimit dhe numërimit të votave në të gjithë vendin.

“Ndryshimet e Kodit Penal rritën ashpërsinë e dënimit të atyre veprave që cënojnë të drejtën e zgjedhësit për të votuar i lirë dhe në mënyrë të fshehtë, ndaj ky aplikacion është një mundësi për zgjedhësit që të raportojnë dhe denoncojnë”, ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Klement Zguri.

“Ky aplikacion po instalohet për herë të parë me qëllim që të informojë publikun. Unë shpresoj që kjo mbështetje e Këshillit të Europës të mund të japë efekt për të gjithë votuesit”, ka thënë Klaus Neukrich, shef i zyrës së KiE-së.

Të dhënat personale të kujtdo që denoncon një shkelje do të mbeten anonime, por KQZ do të bashkëpunojë për çdo rast të raportuar me Prokurorinë e Përgjithshme për të bërë të mundur identifikimin e rasteve konkrete.

Top Channel