Transaksionet e euros, KE: T’i largojmë nga Londra

13/06/2017 00:00

Bashkimi Evropian propozoi rregulla të reja që do t’i jepnin bllokut fuqinë që të detyronte një pjesë të madhe të shërbimeve financiare në Londër që të largoheshin nga ky qytet pas Brexit.

Pavarësisht se nuk përdor vetë euron, Mbretëria e Bashkuar është ndërmjetësi kryesor për blerësit dhe shitësit e produkteve financiare që vlerësohen me euro, por edhe me valuta të tjera, transaksione që luajnë një rol jetësor në ekonominë e Evropës.

Ky proces, ku Londra është qendra, njihet si Euro-Clearing dhe është një biznes kolosal ku vetëm euro lëvizin më shumë se 1 trilion në ditë. Qendrat rivale financiare si Frankfurti dhe Parisi e dëshirojnë këtë aktivitet fitimprurës prej dekadash, por nuk kanë qenë në gjendje deri tani që t’ia marrin Londrës.

Kjo e fundit, si pasojë e propozimeve të reja evropiane që duan ta heqin këtë biznes nga Londra, rrezikon të humbasë jo vetëm fitimet e majme, por edhe mbi 83.000 vende pune në këtë sektor.

Propozimi i Komisionit Evropian thotë se do të ishte e rrezikshme për sistemin financiar evropian nëse kompaninë që bëjnë “Clearing” e valutës ta lënë jashtë BE.

Në fakt, prej kohësh Banka Qendrore Evropiane thotë se këto veprime duhen bërë brenda grupit të 19 vendeve që përdorin euron, për të pasur më shumë kontroll, por përderisa Britania ishte pjesë e BE nuk e detyronte dot Londrën të hiqte dorë nga ky biznes.

Brexit duket se ka paraqitur Evropës mundësinë që t’ia marrë këtë tregti Britanisë. Zëvendës presidenti i KE, Valdis Dombrovskis, tha se BE duhet të përshtatet me faktin që qendra më e madhe financiare e unionit po ikën nga blloku.

Sipas KE edhe zhvendosja e detyrueshme e kompanive mund të përdoret, vetëm si një mjet i fundit, por zor se do të shkohet deri atje. Mbretëria e Bashkuar po përpiqet fort të mbajë këtë biznes fitimprurës kryesisht me argumentin e kaosit që do të pasonte transferimin, diçka që edhe bizneset e mëdha e mbështesin.

Top Channel