
E marta e 13-të, ose siç e njohin besimtarët, e marta e fundit gjeti mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni, duke kaluar natën në Kishën e Shën Andoit në Laç, për të pritur aty agimin në të martën e shenjtë.
Ky vend bart për ta magjinë e mrekullisë, shërimit dhe fatit, e për këtë luten. Për shëndet, mirëqenie, sigurisht edhe parà.
Policia kishte siguruar rrugën drejt kishës për të lehtësuar lëvizjen në këmbë të besimtarëve, ndërsa ata që u përpoqën të përfitojnë nga festa ishin tregtarët ambulantë, të vendosur në çadra në hyrje të saj.
Rruga është e gjatë, terreni i vështirë, por kjo nuk step besimtarët e të gjitha moshave.
Në këto kohë të vështira, ata e shohin si rrugën e vetme të mrekullive, të shpresës dhe ndihmës së pritur nga qielli.
Jo të gjithë e dinë historikun e shenjtit, por kjo nuk i pengon besimtarë jo të krishterë të besojnë njësoj te mrekullitë. Edhe nga ato më të çuditshmet…
“Vijmë këtu e kërkojmë ndihmë për fejesa, martesa. Kemi besim te Zoti”, tha një besimtar.
Duket se, tradita e nisur që nga shekulli i XII-të me 13 të martat do të vijojë gjatë, për aq kohë sa njerëzit do të vazhdojnë të shpresojnë te mrekullitë.
Vendi i shenjtë i Shna Ndout është bërë vendi i unifikimit të besimeve dhe besimtarëve, të cilët pa dallim feje besojnë në mrekullitë e njërit prej shënjtëve më të njohur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë Europën.
Top Channel