Vettingu, SHBA: Vendimi te Venecia. Përpjekje për të dobësuar reformën

12/06/2017 00:00

Ambasada Amerikane nuk mbajti një qëndrim të hapur publik, kur ligji i Vettingut u ankimua për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese nga dy shoqata gjyqtaresh, por gati një javë pasi ligji i vettingut mori mbështetjen e tre partive kryesore në vend, Ambasada Amerikane e përshëndeti këtë qëndrim dhe bëri një paralajmërim të fortë.

Paralajmërimi në mënyrë indirekte ka të bëjë me ankimimin e gjyqtarëve kundër mënyrës së parashikuar në ligj për verifikimin e lidhjeve të njerëzve të drejtësisë me krimin e organizuar.

“Populli shqiptar duhet të shqetësohet nga përpjekjet për të dobësuar reformën, për të mbrojtur gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, përfshirë ata që kanë lidhje me krimin e organizuar”, thuhet në deklaratën për shtyp të selisë diplomatike amerikane.

Gjyqtarët argumentojnë se përcaktimet jo shumë të qarta në ligj se kush klasifikohet person i dyshuar në ligje me krimin e organizuar, mund të çojnë në vendime abuzive të komisioneve të vettingut. Por Ambasada amerikane mbështeti ligjin siç është tani, pa ndryshime.

“Vetingu duhet të jetë i fortë dhe kuptimplotë, sepse elementët kryesorë anti-korrupsion të reformës, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në, varen nga gjykatës dhe prokurorë të ndershëm””, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e Ambasadës Amerikane ka edhe një mesazh për Gjykatën Kushtetuese, për të cilën është raportuar më herët se partnerët kishin pakënaqësi për mungesën e transparencës dhe shpejtësinë e pazakontë për ta shqyrtuar çështjen.   

“Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të shqyrtojë ankesat në mënyrë të hapur dhe transparente, duke u mbështetur në rekomandimet e Komisionit të Venecias”.

Ambasada Amerikane inkurajoi mediat dhe qytetarët që të jenë syhapur, siç thotë, që njerëzit e korruptuar të mos ua vjedhin demokracinë.

Top Channel