Durrës, punimet për kolektorin drejt fundit; jo më shkarkime në det

12/06/2017 00:00

Në plazhin e Durrësit vijon puna për lidhjen e qindra godinave dhe bizneseve me kolektorin kryesor, për të shmangur përfundimisht derdhjen e ujërave të zeza në det.

Sipas ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, investimi prej 7.8 milionë eurosh për ndërtimin e rrjetit dytësor dhe tretësor të kanalizimeve të ujërave të zeza në Plazhin e Durrësit, nga Ura e dajlanit në Plepa, po shkon drejt fundit.

Aktualisht ka përfunduar lidhja e të gjitha banesave dhe bizneseve nga ana e detit, ku nuk ka shkarkime të ujërave të zeza në det.

“Do të punohet me objektet e mbetura dhe në një periudhë të shkurtër bëhet lidhja me kolektorin sekondar e terciar dhe shkarkimet në det nuk do të ekzistojnë më”, deklaroi Bledar Metalla, inxhinier i UKD.

Investimi me fonde të Bankës Botërore përfshin jo vetëm zonën nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, por dhe vazhdimin deri te Përroi i Agait, ku godinat e banimit, ato hoteliere dhe bizneset kanë funksionuar kryesisht me gropa septike.

Projekti parashikon hapjen e rreth 27 km rrjet të ri dy dhe tretësor, si dhe ndërtimin e 1.200 pusetave, duke bërë të mundur grumbullimin e të gjitha ujërave të zeza të 521 objekteve të banimit dhe shërbimit në plazh.

Ky rrjet, përmes kolektorit nga Përroi i Agait do të lidhet me impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash, ku përpunimi i i ujërave synon të shmangë ndotjen e ujërave detare.

Top Channel