“Rama e Basha, s’na trembin”

10/06/2017 00:00

“Kryetari i rilindjes, Edi dhe Luli nuk e trembin aspak LSI-në. Nuk i trembin dhe sugjestionojnë anëtarët e votuesit e LSI-së, të cilët do ia japin përgjigjen kësaj dysheje të këndshme më 25 qershor, në zgjedhje, kur do ndahet njëherë e përgjithmonë qeverisja e kanabizimit nga qeverisja me një drejtim të ri të udhëhequr nga LSI-ja”.

Ky ka qenë reagimi i Lëvizjes Socialiste Për Integrim, pas sulmit që iu bë më herët nga Edi Rama dhe Lulzim Basha. Luan Rama nxitoi të thumbojë nga selia e partisë së tij dy rivalët politikë të LSI-së, duke ironizuar programet dhe premtimet e socialistëve dhe demokratëve për bujqësinë dhe subvencionet për fermerët, ndonëse përgjegjës për këto deklarata ka bërë kreun e opozitës Basha, i cili, fajin për politikat e gabuara në bujqësi duhet ta kërkojë tek kreu i qeverisë dhe jo tek ministri i LSI-së.

“Le të përpiqet sa të dojë Lul Basha ta vërë gishtin mbi mininstrin e Bujqësisë. Kështu, ai thjesht dhe vetëm dëshmon se sa shërbëtor i verbër është sepse një kryetar i një partie të madhe në opozitë më së paku do të duhej ta vinte gishtin mbi politkat qeverisëse dhe jo vetëm mbi një ministër”, tha Luan Rama.

Dhe në vend të ministrit Panariti, nënkryetari Rama prezantoi programin e LSI-së për bujqësinë, ku premtimet për 4 vitet e ardhshme i kishte konkrete: “LSI premton heqjen e të gjitha taksave për bujqësinë. LSI do të pesëfishojë subvencionet për bujqësinë. LSI premton 25 mijë vende të reja pune në agro-përpunim dhe në prodhimin bujqësor”.

Top Channel