MD, kallëzim kandidatit të Beratit dhe kreut të ZVRP

10/06/2017 00:00

Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi ka kallëzuar në prokurori një kandidat për deputet në qarkun e Beratit dhe një funksionar të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive, për veprimtari të kryer në shkelje me ligjin.

Sipas një njoftimi për shtyp nga MD, kallëzimi është bërë për kandidatin Fadil Nasufi dhe zyrtarin Ledian Shehu, për akuzat e “korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike”, të parashikuara në Kodin Penal.

Në njoftimin zyrtar thuhet se, të kallëzuarit kanë shfrytëzuar veprimtarinë institucionale të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për qëllime të përfitimit politik në zgjedhje.

Konkretisht, gjatë një aktiviteti kandidati Nasufi dhe zyrtari Shehu kanë bërë shpërndarje të certifikatave për vërtetim pronësie, edhe pse kjo nuk është detyrë e një kandidati për deputet, por e ZVRPP-së.

“Sipas ligjit, kandidati për deputet as nuk mund të përvetësojë procesin e shpërndarjes së certifikatave për vërtetim pronësie dhe as nuk mund ta përdorë atë për qëllime të përfitimit politik”, vijon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.

Në të bëhet gjithashtu me dije se, ministri Bardhi ka urdhëruar edhe shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të zyrtarit të ZVRPP-së Ledian Shehu, i cili mban pikërisht detyrën e regjistruesit, për bashkëpunim me kandidatin.

Top Channel