Kamionët me 10 tonë hashash, gjykata liron disa prej doganierëve

09/06/2017 00:00

Nuk ka zgjatur as një muaj efekti i furtunës që preku dy pikat kufitare, atë të Durrësit dhe atë të Qafë Thanës, gjatë të cilës 21 zyrtarë doganorë dhe policorë u arrestuan si të dyshuar në trafikimin e 10 tonëve drogë drejt Italisë.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka liruar nëntë prej tyre, ndërkohë që 12 të tjerët kanë dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë me kërkesën për të lënë qelitë.

Burimet thonë se Gjykata e Apelit ka ndryshuar masat nga arrest me burg në arrest shtëpiak me argumentin se ndaj të dyshuarve nuk ka prova bindëse që do të hidhnin hije dyshimi për përfshirjen e tyre në skemën se si u kaluan pa u zbuluar 10 tonë drogë në Qafë Thanë dhe më pas në portin e Durrësit.

Prokuroria pretendon se kamionët me drogë kanë kaluar pa u kontrolluar dhe se mes punonjësve të policisë dhe doganierëve ekziston një formë bashkëpunimi gjatë realizimit të trafikimit.

Por nga ana e tyre, të gjithë të dyshuarit nuk e pranojnë konkluzionin e organit të akuzës, pasi sipas tyre nuk ishte kompetencë e doganierëve të ushtronin kontrolle në automjete.

Për episodin e parë prokuroria shpjegon se kamioni me 8 tonë drogë i bllokuar në Itali rezulton të ketë hyrë nga Qafë Thana dhe sipas provave shkresore atij jo vetëm i është ndryshuar destinacioni i udhëtimit, por me gjithë ngarkesën e konsiderueshme ai është konsideruar i pastër.

Episodi i dytë u zbulua më 24 mars ku sërish nga porti i Durresit kishte kaluar një kamion i ngarkuar me 2.2 tonë drogë.

Top Channel