
Aventura e Diego Costës te Chelsea duket se është drejt përfundimit. Sulmuesi spanjoll, por me origjinë braziliane, njoftoi se ditën e djeshme ka marrë një mesazh nga trajneri italian, Antonio Conte.
Sigurisht që mesazhi kishte të bënte me sezonin e ardhshëm, por teksti i tij është zbuluar nga e përditshmja spanjolle “AS”.
“Përshëndetje Diego, shpresoj të jesh mirë. Faleminderit për sezonin që kaluam së bashku. Paç fat për sezonin e ri, por ti nuk bën pjesë në planet e mia”.
Një mesazh që nuk lë vend për shumë interpretime, i shkurtër dhe tepër i qartë. Sipas medias spanjolle, Conte nuk ka dashur të bëjë lojëra fjalësh me lojtarin, teksa ka dashur t’i komunikojë vendimin e tij.
E kotë të thuash se sulmuesi, i cili ka mbetur i befasuar, të mos e ketë pritur mirë këtë njoftim.
Megjithatë, duket se edhe Chelsea nuk e ka mirëpritur mënyrën e zgjedhur nga ish-trajneri i Italisë dhe Juventusit, duke qenë se lojtari ka një kontratë deri në vitin 2019 me klubin londinez, e në këtë mënyrë rrezikon që t’i zhvlerësohet vlera në merkato.
Ata që mund të përfitojnë janë Atletico Madrid, një zgjedhje e preferuar për lojtarin që do të ishte i kënaqur të rikthehej nën urdhrat e Simeones, por edhe Milani, që duket se do të shpërthejë në këtë merkato verore, pasi po kërkon me ngulm një sulmues që të bëjë diferencën.
Top Channel