Monitorimi, s’ka gjurmë kanabisi

08/06/2017 00:00

Në zonat e thella të Qarkut të Shkodrës, policia nuk gjeti gjurmë të kultivimit të kanabisit.

Top Channel ndoqi nga afër monitorimin që u bë nga ajri në zonën e Dukagjinit dhe Malësisë së Madhe, ku efektivët nuk konstatuan asnjë parcelë të mbjellë.

Plani kombëtar kundër këtij fenomeni mesa duket po jep rezultat, pasi nga lartësia binin në sy vetëm tokat bosh, të përdorura vjet nga trafikantët për aktivitetin e tyre kriminal.

Por ky monitorim, mbart rreziqet e veta nisur nga e kaluara e kësaj zone. Pas 2 vjetësh ky është fluturimi i parë që helikopteri i policisë kryen në Dukagjin dhe Malësi të Madhe, ku vitet e kaluara trafikantët i kanë qëlluar me armë policisë.

Në gusht të 2014-ës, në këtë zonë në drejtim të një helikopteri të uniformave blu dhe një tjetri të ushtrisë u qëllua me breshëri automatiku.

Krahas avionit të Interforcës, monitorime të ngjashme sipas policisë, janë kryer edhe në Qarkun e Beratit, Vlorës dhe Fierit, ku po ashtu nuk janë konstatuar parcela.

Por kanabisi mesa duket ka filluar të mbijë edhe vetë. Të paktën ky është shpjegimi që jep policia për disa bimë që u gjetën në një tokë publike në Vlorë, pranë vendit të quajtur “Përroi i Madh”.

Top Channel