Afron Izrael-Shqipëri, kuqezinjtë duan të zhdukin krizën

08/06/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në Turqi për ndeshjen me Izraelin, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2018.

Kuqezinjtë po kalojnë momente të vështira, duke qenë se vijnë në këtë sfidë pas 5 humbjeve radhazi. Sulmuesi Jahmir Hyka bëri apelin për një mbështetje më të madhe për ketë ndeshje mjaft të rëndësishme për skuadrën tonë përfaqësuese.

“Është e vërtetë që kemi pasur rezultate negative dhe kjo nuk është diçka e mirë për kombëtaren. Në këto momente na duhet mbështetja e të gjithëve tifozëve dhe medias. Ndaj Izraelit duhet të bëjmë diçka ndryshe në krahasim me sfidën me Luksemburgun”, tha Hyka.

Pak a shumë, në të njëjtën linjë qëndron edhe Odise Roshi, i cili, pasi vlerësoi skuadrën e Izraelit, theksoi se skuadra duhet të japë maksimumin ndaj këtij ekipi për të zhdukur krizën që ka mbërthyer ekipin.

“E kam ndjekur Izraelin, është një ekip që luan shumë mirë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Duhet të japim maksimumin për të fituar. Nëse e arijmë këtë, atëherë gjithçka do të shumëzohet me zero”, theksoi Roshi.

Top Channel