Shefi i Inteligjencës në SHBA, asnjë presion nga Trump

07/06/2017 00:00

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Amerikane tha se nuk është ndjerë kurrë nën presion që të ndikojë në hetimin për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhje.

Dan Coats deklaroi para një paneli të Senatit se nuk është e përshtatshme të diskutojë publikisht bisedat me presidentin, pas një raporti në media që pretendonte se Trump i kishte kërkuar të pengonte hetimin për Rusinë.

“Jam gati të ndaj me komitetin ato që di dhe që nuk di. Por nuk dua të ndaj informacione që mendoj se nuk duhen thënë në një seancë publike. Sidoqoftë, mund t’ju siguroj se gjatë ndërveprimeve me presidentin e SHBA apo administratën e tij, kurrë nuk më është bërë presion që të ndërhyj apo pengoj me kapacitetet e mia ndonjë hetim”, shprehet Dan Coats, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare.

Në të njëjtën mënyre u përgjigj edhe shefi i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, ose NSA, admirali Mike Rogers, i pranishëm gjatë të njëjtës seancë. Ai tha se në tre vjet e gjysmë që ushtron këtë rol, kurrë nuk është urdhëruar që të bëjë diçka ilegale, imorale, jo etik apo të papërshtatshme. Dëshmitë e tyre bëhen dy ditë para asaj thelbësore të ish-drejtorit të FBI-së James Comey, i cili drejtonte hetimin për Rusinë para se të shkarkohej nga Trump.

Comey do të pyetet pikërisht për bashkëveprimet që pati me presidentin para se të shkarkohej, ndërsa ka raporte se Trump i kërkoi të mos hetonte ish-këshilltarin e sigurisë Michael Flynn.

Top Channel