Pjesëmarrja në fushatë, procedim kreut të Spitalit të Beratit

05/06/2017 00:00

Zv.kryeministrja Ledina Mandija ka sqaruar mbrëmjen e së hënës arsyet e procedimit penal ndaj drejtorit të Spitalit të Beratit.

Në një komunikim me mediat, Mandija ka bërë me dije se edhe funksionari në fjalë ka konsumuar veprën penale të pjesëmarrjes në aktivitete politike.

“Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Shtetit, në bazë të një denoncimi ka filluar procedimin penal ndaj drejtorit të Spitalit Rajonal të Beratit, i cili në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe me një deputet të zonës kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, si dhe përdorimit të funksioneve publike në veprimtari politike ose zgjedhore të parashikuara nga neni 328 dhe 328/a të kodit penal të ndryshuar”, ka deklaruar Mandija.

Zv.kryeministrja i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të marrë të gjitha masat për të ndjekur procedurat ligjore dhe për të arritur në një konkluzion përfundimtar në lidhje me këtë çështje.

Top Channel