Pas rreth 44 muajsh, Parku Olimpik i Tiranës ka marrë jetë duke mbyllur një nga investimet më të mëdha të kompleksit, atë të pallatit të sportit.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, së bashku me kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj, kanë inauguruar këtë pallat të ri sporti, që do të mbajë emrin e ish-legjendës së basketbollit shqiptar, Feti Borova.
“Më në fund kemi një sallë moderne të lojrave me dorë që është vetëm një pjesë e projektit të madh. Pak më tutje, është një sallë tjetër moderne e peshëngritjes, e mundjes, do të ndërtohet më pas pishina e mbyllur olimpike, fushat e volejbollit dhe basketbollit të hapura, të futbollit e kështu me radhë”, tha Rama.
Gjithashtu, kryeministri ka theksuar se shumë shpejt, të gjithë këtij oazi të gjelbër të kryeqytetit, do t’i shtohet edhe një kopsht i ri zoologjik.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë Erjon Veliaj shprehet majft i kënaqur që kanë bërë një tjetër hap të afrimit të të rinjve drejt sportit dhe largimit nga kafenetë e bastet: “Më vjen mirë që kemi ndërtuar një ambient që afron më shumë të rinjtë me sportin dhe i largon nga kafenetë, bingot apo llotot. Dikur, kjo sallë ishte vendi i parë i pritjes së kosovarëve gjatë periudhës së luftës dhe në mënyrë simbolike kemi vendosur që të luajmë sot me një përfaqësuese të Kosovës për të inauguruar këtë sallë”.
Më pas, fjalimet dhe falenderimet i kanë lënë radhën një përballjeje yjesh të basketbollit shqiptar dhe atij të Kosovës.
Top Channel