Shkarkimet, LSI: Hakmarrje primitive, kallëzim penal ministrave

03/06/2017 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka njoftuar këtë të shtunë se ka bërë kallëzim për ndjekje penale për 3 ministra dhe zv.kryeministren teknike, për shkarkimet e zyrtarëve të kësaj partie, që sipas saj janë një “hakmarrje primitive” që rrjedh nga marrëveshja Rama-Basha.

“Jam këtu për t’ju bërë me dije se Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë kallëzim për fillimin e ndjekjes penale për shpërdorim detyre të ministrave: Milva Ekonomi, Gazmend Bardhi, Xhuljeta Kërtusha dhe zëvendëskryeministres Ledina Mandija, në cilësinë e kryetares së Task-Forcës së ngritur nga qeveria, që në shkelje flagrante të ligjit, në mënyrë arbitrare dhe në mungesë të plotë të transparencës kanë nisur një fushatë hakmarrjeje dhe shantazhi ndaj punonjësve të nivele të ndryshëm në administratën publike”, ka deklaruar nënkryetarja Kejdi Mehmetaj.

Sipas Mehmetaj, shkarkimet e funksionarëve të shtetit nga radhët e LSI-së ishte një skenar i pritshëm, në kushtet e asaj që e ka quajtur “marrëveshja e errësirës”, që në vend që të fokusohet tek standardet e zgjedhjeve hakmerret ndaj LSI-së.

“Hakmarrja primitive revanshizmi politik dhe kanosja me vendin e punës janë modeli më i shëmtuar që prodhoi marrëveshja e errësirës, perversiteti i së cilës po shfaqet përmes largimit të paligjshëm nga puna të shumë specialistëve e profesionistëve të përkushtuar”, ka thënë Mehmetaj.

Top Channel