
Luksemburgu është testi para Izraelit, të cilën kombëtarja kuqezi do ta kalojnë nesër mbrëma në orën 19:30.
Një ndeshje për t’u fituar dhe jo rastësisht trajneri De Biasi pritet të hedhë në fushë një skuadër ofensive. Por, shqetësimi më i madh te kuqezinjtë lidhet me gjendjen e mesfushorit Amir Abrashi.
Lojtari i Freiburg, që ishte projektuar si titullar në mesfushë, u largua nga stërvitja e fundit me këmbën e majtë të fashuar dhe me akull, pas një goditje të fortë që mori në pjesën e sipërme të kërcirit, shumë pranë gjurit. Stafi mjekësor dhe ai teknik u shfaqën jo pak të shqetësuar për gjendjen e Abrashit, me situatën e lojtarit që do të monitorohet deri në çastet e fundit, për të vendosur më pas nëse do të jetë në gjendje të luajë.
Përsa i takon formacionit, De Biasi do ta rreshtojë skuadrën me skemën 3-5-2, ku Hysaj dhe Lenjani do të jenë të avancuar nga krahët në mesfushë, ndërsa Sokol Cikalleshi duket se ka fituar balotazhin me Armando Sadikun për një fanelë titullari në sulm, përkrah Odise Roshit.
Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku ishin të fundit që i’u bashkuan skuadrës gjatë ditës së shtunë, pas ndeshjeve me skuadrat e tyre, ndërsa sipas trajnerit italian, të dy lojtarët janë gati për të luajtur. Duke qenë paksa më i freskët fizikisht pas angazhimit në kampionatin turk, Cikalleshi do të luajë si titullar, me rrotacionin me Sadikun që pritet të kryhet në pjesën e dytë të lojës. Në stërvitjen e fundit përpara sfidës me Luksemburgun, ishin të pranishëm 21 lojtarë, me Llullakun dhe Hykën që do ti bashkohen skuadrës në Stamboll për të plotësuar grupin.
Top Channel