Vettingu, PD mosbesim. Akuzon kandidatët për Kolegjin e Apelimit

02/06/2017 00:00

Demokratët nuk janë të kënaqur as me listat e vettingut. Marrëveshja politike me kryeministrin Rama nuk ka zbehur akuzën për kontrollin e drejtësisë nëpërmjet njerëzve të paracaktuar tek organet e vettingut.

“Produkti që do të votojë treshja e mazhorancës është ky: Albana Shtylla, anëtare e KQZ-së e propozuar nga PS; Ina Rama, prokurore politike; Sokol Çomo, ish-zv.ministër i PS”, deklaroi deputeti demokrat Flamur Noka.

“Mos politizoni kandidatët. Ne zgjedhim Avokatin e Popullit, kryetarin e KLSH, shumë drejtues të institucioneve dhe do të zgjedhim anëtarët e KLGJ dhe KLP-së dhe kjo nuk do të thotë se ata janë të majtë, të djathtë, të kuq apo të zinj”, replikoi deputetja e PS, Vasilika Hysi.

Nga ana e tyre, tre anëtarët e përmendur nga opozita nuk pranuan asnjërën prej akuzave të saj.

Flamur Noka: Dorëheqja juaj erdhi para thirrjes së Ramës për të braktisur KQZ-në, apo pas?

Albana Shtylla: Nuk e kam ndjekur dhe nuk e ndjek politikën. Kështu që as atëherë nuk i kam ndjekur deklaratat e liderit të opozitës, ndaj nuk mund të them se ka qenë para apo pas.

Flamur Noka: E shihni veten se mund të drejtoni një drejtësi të re kur vini nga ajo që kryeministri e quan drejtësia e kalbur?

Ina Rama: Nuk bëj pjesë tek pjesa e kalbur. Jam jashtë kalbëzimit, në vlerësimin tim.

Flamur Noka: Nuk të paska prekur krimbi ty…

Ina Rama: Jo, nuk më ka prekur.

Flamur Noka: Në aspektin procedurial s’kemi vërejtje, por angazhimi politik bën që të humbasë besueshmëria.

Sokol Çomo: është e vërtetë që para 19 vjetësh kam pranuar të ushtroj një pozicion, por në atë pozicion kam shkuar si një njeri teknik, pa qenë asnjë ditë të vetme anëtar i ndonjë partie politike.

Tre kandidatët e akuzuar nga opozita janë në garë mes 34 personash për t’u votuar për në Kolegjin e Apelimit, një organ me 7 anëtarë që do të shqyrtojë ankesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve pas vettingut.

Top Channel