Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me kandidatët Ogerta Manastirliu dhe Silda Cepe, është takuar me banorë të njësisë administrative numër 9, ku ka përmendur investimet e bëra në këtë zonë, si Bulevardi i Ri, Sheshi Skënderbej, rikonstruksioni i çerdheve apo rehabilitimi i zonës së Bregut të lumit.
“Dhe ne fituam në gjykatë kundër Presidentit Nishani, i cili vajti të shkatërronte lodrat e fëmijëve. Edhe gjykata e rrëzoi Presidentin në largim. I thashë që të mos largohej me turp, të mos hynte në histori si i vetmi President që shkon e shkatërron lodrat e kalamajve. Nuk më dëgjoi”, tha Veliaj.
Veliaj iu drejtua qytetarëve duke i kërkuar si nder votën për Partinë Socialiste me qëllim vazhdimin e investimeve që ka në plan për dy vitet e tjera në njësinë 9.
“Është rindërtimi i tregut pranë rrugës “Mine Peza”, rikonstruksioni i kopshtit numër 36 te “Rruga e Fortuzit”, rikonstruksioni i plotë i shkollës 9-vjeçare “Hasan Vogli”, ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrugës që lidh “Reshit Petrelën” me “Skënder Kosturin”, rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore të kufizuar nga rrugët “Zogu i Parë”, “Rruga e Dibrës”, “Siri Kodra” dhe “Reshit Petrela”, tha Veliaj.
Top Channel