Teknologjia në Tiranë, Veliaj fton të rinjtë që të aplikojnë në projekte

02/06/2017 00:00

Duke e vlerësuar si të rëndësishme funksionimin e “Tirana Parking”, mënyrën e pagesës me sms, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në konferencën “Inovate your ëay out”, ka ftuar studentët që të aplikojnë me projekte që falë teknologjisë qytetarët të mund të dinë se në cilën rrugë ka vend parkimi të lirë.

“Ai park është një mënyrë që ndoshta e çon konceptin tonë të “Sms parking” në një nivel tjetër. Sensorët verifikojnë ekzaktësisht ku janë vendet e lira të parkimit dhe dikush mjafton që të sinjalizohet nga telefoni i vet se në filan vend gjen vend të lirë parkimi”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë ftoi studentët që të bëjnë praktikën në kompanitë e bashkisë, ku në 6 muajt e parë do t’i paguajnë dhe në sajë të asaj që do të ofrojnë, mund të sigurojnë dhe vend pune në një afat më të gjatë në to. 

“Shumë kompani, merrnin praktikantë dhe nuk i paguanin. Më pas, merrnin praktikantë të tjerë. Duam të ndalojmë punën e papaguar të studentëve. Do të marrim dhjetëra studentë, të cilëve do u paguajmë rrogën bazë deri në 6 muaj”, u shpreh Veliaj.

Duke vlerësuar teknologjinë dhe se falë saj janë ndërmarrë shumë reforma në bashki, Veliaj u kujtoi studentëve që duhet të investohen sa më shumë në shkollë.

Top Channel