Shkarkimet në administratë, Basha: Sukses i Republikës së re

02/06/2017 00:00

Nga Korça, teksa çeli fushatën për garën elektorale të 25 qershorit, Lulzim Basha ka reaguar për shkarkimet e fundit në administratë, duke i cilësuar ato si suksesin e parë të Republikës së Re.

“Sot republika e vjetër është sprapsur. Kjo ishte fitorja e parë e korçarëve të bashkuar, e qytetarëve të bashkuar. Vetëm sot janë shkarkuar mbi 12 zyrtarë të niveleve të larta dhe të mesme që kanë shkelur Kodin Penal. Shumë prej tyre do të shkojnë për ndjekje penale, Republika e re e ka arritur hapin e parë. Kushdo që guxon të prekë votën e shqiptarëve, apo kartat e identietit e pret ligji i Republikës së re. Shkarkimi i menjëhershëm, ndjekja penale dhe të paktën 1 vit burg për cënimin e së drejtës së votës. Kjo është arritja juaj. Ndaj denonconi çdo përpjekje për t’ju prekur votën”, deklaroi Basha.

Basha akuzoi Edi Ramën dhe Niko Peleshin, për atë çka sipas tij i kanë shkaktuar Korçës këto 4 vite, duke ndërtuar vetëm fasada që nuk ndihmojë në zhvillimin ekonomik.

“Republika e vjetër mendoi veç për veten dhe s’ka qytet në Shqipëri ku kjo duket më qartë se në Korçë. Ramës i pëlqen të vijë këtu për fundjava. Kur vjen ka hotelet e tij të preferuara, restorantet e preferuara, uishqimet dhe verën e tij të preferuar për t’i bërë qejfin. Niko i bëri edhe pdeonalden e preferuar. I ndërtoi edhe kullën. Kush e pagoi kullën? Sa ju kushtoi kulla, miliona euro për qejfet e Edi Ramës. Nuk krijoi 300 mijë vende pune, por çoi 300 mijë shqiptarë, edhe kroçarë, jashtë vendit, në Gjermani e Amerikë. Njerëzit për të cilët Korça ka neojë, artistët, sipërmarrësit i detyroi të ikin dhe Korçën ia dorëzoi një grushti kriminelësh dhe trafikantësh”, tha Basha.

Teksa prezantoi përpara korçarëve programin ekonomik të PD, Basha përsëriti edhe një herë ftesën për rivalin politik.

“Pse e refuzon debatin Edi Rama? Është e drejtë, a jua ka borxh? Ka borxh të dalë siç kam unë borxh të dal para jush, secili me bilancin e vet, unë me bilancin tim. Me programin tim, ai me të vetin dhe ju vendosni me votën tuaj më 25 qershor, bëni zgjedhjen. Edi Rama jua mohon këtë të drejtë. Kjo nuk është qytetari, por hile e madhe siç është fushata e tij. Shpik nga një sebep dhe nuk flet për çështjet më të rëndësishme që nuk janë batutat e Ramës dhe estrada, por ekonomia dhe punësimi”, u shpreh Basha.

Kreu i PD përsëriti edhe një herë nga Korça premtimin për të rikthyer tarifat për produktet buqjësore që vijnë nga shtete fqinje, si një mënyrë për të favorizuar produktet e fermerëve shqiptarë.

“Fermerët korçarë janë ata që vuajnë më shumë nga kjo situatë dhe thirrjet e tyre për vemendje të qeverisë ndaj produkteve shqiptare kanë rënë në vesh të shurdhët. Megjithatë, kjo situatë do të ndryshojë pas 25 qershorit. Lulzim Basha do ta ulë traun e doganës për të gjitha prodhimet bujqësore të huaja që konkurrojnë djersën e fermerëve shqiptarë”, premtoi Basha.

Top Channel