
Nga e gjithë bota kanë vërshuar reagime, pas vendimit të Donald Trump për ta tërhequr Amerikën nga marrëveshja e klimës, e arritur në Paris në vitin 2015. Udhëheqësit globalë e akuzuan shefin e Shtëpisë së Bardhë se po i kthen shpinën planetit, e për rrjedhojë edhe vet njerëzimit.
Plani ambicioz i luftës, kontrollit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike shihet gjerësisht si përpjekja e fundit për ta mbrojtur Tokën nga pasojat shkatërruese të ngrohjes globale. Pakti u firmos në Paris dy vite më parë, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara u ratifikua vitin pasues.
“Me përjashtimin e Sirisë së gjunjëzuar nga konflikti i përgjakshëm disavjeçar, dhe Nikaraguas, që pretendon se marrëveshja nuk është e rreptë sa duhet, çdo vend tjetër i botës pajtohet me të”, shkruan CNN. “Të gjithë, plus Rusinë, por jo Trump”.
“Ne do të tërhiqemi dhe do të nisim rinegociimin, për të parë nëse mund të arrijmë një marrëveshje më të mirë. Nëse do t’ia dalim mbanë, atëherë shkëlqyeshëm. Nëse jo, nuk asnjë problem”, tha Trump.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, reagoi menjëherë duke e cilësuar vendimin “tmerrësisht zhgënjyes”. BE-ja foli për një ditë të trishtë për mbarë botën, ndërsa vet ish-presidenti Barack Obama, firmëtar i ujdisë, deklaroi se në këtë mënyrë, administrata “Trump” po refuzon të ardhmen.
Shefi ekzekutiv i “Disney”-t,Robert Iger, si dhe sipërmarrësi Elon Musk dhanë menjëherë dorëheqjen nga pozicionet e tyre në organet këshillimore të Shtëpisë së Bardhë, përpara së cilës u mblodhën ndërkohë grupe të mëdha protestuesish.
Por vet Trump i ka idetë e qarta.
“Unë u zgjodha për të përfaqësuar qytetarët e Pittsburghut, jo ata të Parisit”, tha Trump.
Ndërkohë krerët republikanë në SHBA dhe krerët e industrisë së qymyrgurit e përshëndetën me entuziazëm lëvizjen e Trump. Sipas këtij të fundit, marrëveshja “ndëshkonte” amerikanët dhe do t’iu kushtonte atyre miliona vende pune.
Në një fjalim të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti u shpreh i gatshëm të diskutojë mbi një marrëveshje të re, ose të rinegociojë ujdinë ekzistuese me kushte të tjera.
Por kreu i Elizesë, Emmanuel Macron e përjashtoi një mundësi të tillë, e tha se vendimi i Trumpit do të dëmtojë interesat e Amerikës dhe qytetarëve të saj. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u bë zëri më i fundit që ngrihet me forcë ndaj këtij vendimi, ndërsa i doli në mbrojtje marrëveshjes me fjalët: Ne duhet të mbrojmë Tokën-mëmë! Asgjë nuk mundet dhe nuk do të na ndalojë dot!
Top Channel