Administrata në fushatë, kallëzim penal drejtoreshës së Postës në Berat

02/06/2017 00:00

Zv.kryeministrja Ledina Mandija ka kallëzuar penalisht drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Berat, Haris Ngjeqari.

Në një njoftim të shpërndarë nga zyra e shtypit e zonjës Mandija sqarohet se kallëzimi për drejtoreshën është bërë pasi është konstatuar se ajo ka shkelur nenin për pjesëmarrjen e funksionarëve të shtetit në veprimtari politike, miratuar një ditë më parë me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Konkretisht, zonja Ngjeqari, gjatë ushtrimit të detyrës së saj shtetërore ka përdorur në mënyrë joligjore postin e saj, me qëllim favorizimin e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në cilësinë e kryetares së Task Forcës për monitorimin e administratës gjatë fushatës elektorale, zv.kryeministrja Mandija ka konstatuar se drejtoresha i ka shpërndarë një formular vartësve të saj, ku u kërkonte informacion që mund t’i shërbente LSI-së.

Gjithashtu, ajo ka kërcënuar punonjësit se, nëse nuk e plotësonin këtë formular do të largoheshin nga puna dhe madje ka larguar disa prej tyre për këtë arsye.

Nga ana tjetër, ajo ka lejuar kandidatë dhe përfaqësues të LSI-së që të bëjnë takime në ambjentet e Postës Shqiptare, me qëllim promovimin e subjektit politik.

Gjithashtu, ajo i ka lejuar punonjësit që të merrnin pjesë në aktivitetet elektorale të kësaj partie, vijon njoftimi për shtyp.

Top Channel