Basha në “Top Story”: Unë, Kryeministri i ekonomisë

01/06/2017 00:00

Kreu i PD për herë të parë pas arritjes së marrëveshjes dhe fillimit zyrtarisht të fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit ka dalë në një emision televiziv për të folur për vizionin e tij për të ardhmen e PD dhe të Shqipërisë.

Në “Top Story” Basha ka mbërritur pas fushatës në Shkodër, ku janë shfaqur edhe disa foto me mbështetës që mbanin pankarta ku shkruhej “Jozefina Topalli, krenaria e Shkodrës”. Pankarta të cilat rivënë në vëmendje kundërshtitë jo të pakta me listat e kandidatëve të PD-së, për zgjedhjet e 25 qershorit. Pikërkisht kjo çështje ka qenë edhe pikënisja e emisionit të drejtuar nga Sokol Balla

Pjesë nga intervista
Sokol Balla: Është hera e parë që dilni në një emision politik që pas marrëveshjes së 18 majit. Kanë qenë ditë të vështira, por jo vetëm për ju. Do të doja ta nisja, është e vërtetë që këto foto u shfaqën në mitingun e PD.

Lulzim Basha: Unë i shoh për herë të parë këtu në studion tuaj. Mitingu ishte i jashtëzakonshëm. Angazhimi i shkodranëve për fitoren e betejës së Republikës së Re më 25 qershor, daton që prej 18 shkurtit. Unë jam i ngazëllyer nga pjesëmarrja në mbështetje të ekipit fitues.

Sokol Balla: Nuk u shmangemi dot pyetjeve që lidhen me listën e kandidatëve për deputetë, ku ra në sy largimi i shumë veteranëve dhe shumë kritikëve. Pse e bëtë këtë ndryshim?

Lulzim Basha: Lista është përshëndetur dhe është pritur me entizuazëm të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga partia, por edhe nga publiku, akademikët, shoqëria civile dhe media. Të të jap disa shifra sesa i thellë është ndryshimi, kemi 41 gra në 140 kandidatë, 82 përqind e kandidatëve që nuk kanë qenë kurrë deputetë, 42 përqind të rinj nën 40 vjeç dhe 33 përqind nën moshën 35 vjeç. Kjo është një listë që përfaqëson dëshirën, kërkesën e kohës dhe qytetarëve për daljen e PD me një ekip të lirë dhe demokrat.

Sokol Balla: Unë hyj tek ata që pashë më shumë gjëra pozitive sesa të kritikueshme në listën tuaj, sepse në parim është një listë e re. Megjithatë ka disa dilema, e para ajo e grave, që jeni gjobitur për numër të pamjaftueshëm të grave në listë.

Lulzim Basha: Gratë e vendosura në listat e PD, dy prej të cilave kryesojnë qarqe dhe shumë të tjera në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë ku nuk kemi pritur rreshtimin ligjor. Numër, shumë e për lumë ka patur, ka patur edhe Edi Rama, e rëndësishme që gratë në listën e PS kanë përfaqësimin më dinjitoz dhe cilësor ndër viti. Në ekipin fitues të PD, në grupin parlamentar dhe në qeverisjen e ardhshme do të ketë më shumë gra që nga themelimi i PD. Lista është listë elektorale, mund të kesh njerëz me kontribute të spikatura, apo njerëz me kontribute të veçanta.

Sokol Balla: Premtuat që do të fusni një model amerikan…

Lulzim Basha: Ka shumë personalitete që kanë mbetur jashtë listës. Vendimi ka qenë i vështirë, por i drejtë dhe i qëndroj totalisht këtij qëndrimi.

Sokol Balla: Kjo listë është prova më e mirë që këto zgjedhje janë basti juaj. Gratë, vërtetë janë 82 përqind të reja, por këto gra edhe në vende të sigurta…

Lulzim Basha: Kjo është një fabul nga disa persona të caktuar kritikë të Lulzim Bashës. Fakti që janë jashtë liste mbështetës totalë të mitë, tregon që nuk jam hakmarrës. Ka ardhur koha që persona të tjerë të promovohen në bazë të vlerave që përfaqësojnë dhe të testohen.

Sokol Balla: Cili është kriteri që një pjesë të të vjetërve dhe veteranëve i keni lënë jashtë liste, ndërkohë që keni vënë zotin Pollo dhe Alibeaj në Fier, Halimin në Berat, Bumçin në Lezhë. Cili është kriteri që keni përdorur?

Lulzim Basha: Synimi nuk ka qenë të spastrojmë apo largojmë një gjeneratë, por një ndërthurje e përvojës me rininë, e kontributit ndër vite me kontributet të veçanta, e përfaqësimit politik dhe atë komunitar për të sjellë një ekip përfaqësues, të ripërtërirë dhe që do të garantojë fitoren më 25 qershor.

Sokol Balla: Ky është basti i Lulzim Bashës, megjithatë, fakti që në këto lista është Sali Berisha për një pjesë e ul besueshmërinë e kësaj që ju thoni. Nëse ka një person që përfaqëson të shkuarën, është zoti Berisha dhe ju e keni atë në listën fituese të Tiranës.

Lulzim Basha: E vërtetë, por aty vjen si kandidat për deputet që ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha strukturat drejtuese të PD. Me gjithçka ai përfaqëson ai ka një vend si deputet i thjeshtë i PD. Edhe ky ka qenë vendimi im dhe është në kuadër të harmonizimit të historisë dhe kontributeve ndër vite të partisë demokratike me gjakun e ri të partisë demokratike. Lista është një mozaik qytetar ku 82 përqind nuk kanë qenë më parë deputetë. Kjo shifër tregon që ja kemi dalë të bëjmë ndryshimin që u premtuan qytetarëve.

Sokol Balla: Si u prit ky ndryshim nga Sali Berisha? Ajo që shkaktoi zhurmë ju u sulmuat ashpër nga njerëz të afër të ish-kryeministrit.

Lulzim Basha: Përvoja ime ma dikton që vendimet e forta janë të vështira por janë të duhurat. Unë i kam marrë këto vendimi dhe pa asnjë mëdyshje se çfarë do të ndodhë dhe kush do të më sulmojë. Ajo listë është mbajtje e premtimit për një listë krejtësisht të re.

Sokol Balla: A keni koment për atë që nisi si një lëvizje, Topalli-Imami?

Lulzim Basha: Nuk kam asnjë koment përveçse asaj që ju thashë për listën.

Sokol Balla: A keni akuzuar kryeministrin Rama se në listat e tij futi njerëz, afera, biznesmenë dhe lista juaj e Vlorës kryesohet nga një biznesmen, listën e Shkodrës ku u fut një tjetër biznesmen.

Lulzim Basha: Agron Shehaj është një simbol i qytetit të Vlorës. Vjen nga një familje patriotike e hershme dhe me vlerat e vlonjatëve ka çarë si sipërmarrës në Itali dhe më pas modelin e kaloi në Shqipëri. Agron Shehaj është në atë listë për të treguar modelin e një sipërmarrësi të suksesshëm, sepse nuk ka nevojë për tendera. Ka me mijëra të punësuar në Tiranë dhe qindra të tjerë në listë. Ai është në krye të listës si model i suksesit, jo si biznesmen. Profesor Gjok Uldedaj është përfaqësues tipik popullor, i denjë që njeh hallet problemet dhe pjesë e ekipit tim sa i përket fushës së bujqësisë. Lista e PD është një listë vlerash e ripërtërirë.

Sokol Balla: Kritikuat Henri Çilin si klientelist i politikës, por futët pedagogët e tij në listat e deputetëve.

Lulzim Basha: Ata nuk janë njerëz të Henri Çilit, janë njerëz të Shqipërisë që kanë mbi të gjitha moralin. Profesor Romeo Gurakuqi u largua nga posti i rektorit të doktoraturave pasi nuk pranoi që të shkruante kundër Partisë Demokratike.

Sokol Balla: Një nga tonet kryesore të 90 ditëve protestë në çadër ishte ajo kundër Sorosit, e megjithatë shumë nga këta “sorosianë” janë sot në listat tuaja.

Lulzim Basha: Unë nuk kam asgjë personale kundër Sorosit. Unë kam kundërshti me mënyrat okulte të influencimit politik. Çelësi i demokracisë është transparenca ndaj publikut, edhe lobing, edhe OJQ kjo është e papranueshme. Problemi është influenca jotransparente.

Sokol Balla: A keni një reagim për akuzat e Lefter Maliqit?

Lulzim Basha: I vetmi reagim them se ishte vendimi i duhur që mos ishte në krye të listës dhe do të ishte vendim edhe më i duhur të mos ishte në listë fare. 

Sokol Balla: Patët deklaruar në çadër se arriti më shumë se 4 vite të grupit parlamentar të opozitës, çfarë arriti realisht?

Lulzim Basha: Kam thënë që ajo që arritën shqiptarët e bashkuar me qëndresë, tregoi që gjuha e vetme që kupton Edi Rama është revolta popullore. Arritëm në radhë të parë garanci formale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me shtatë anëtarë në kabinetin qeveritar me mandatin e vetëm që të garantojnë votat. Kemi vënë garancitë më të forta në ligj dhe kemi instrumentat pothuajse gjysmën e qeverisë për të zbatuar këto dispozita ligjore. Sapo ka nisur puna, po ecën me ritme të mira dhe do të shikojmë nëse Rama dhe Meta do të kenë vullnetin të pranojnë pasojat e kësaj marrëveshjeje. Janë larguar dhjetra zyrtarë të angazhuar në fushatë me një parti politike apo me tjetrën. Këto janë mesazhe të qarta dhe të paimagjinueshme për një garanci minimale dhe ka rritur besimin e shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Marrëveshja parashikon fundin e republikës së vjetër, reforma kushtetuese, ajo zgjedhore, përfshirë votimin elektronik dhe biometrik nuk janë asgjë më pak se katapultimi i republikës së re. Me reformën kushtetuese do t’i japim fund pazarit politik që është luajtur në kurriz të shqiptarëve. Rama është detyruar të pranojë ndryshimet kushtetuese dhe rënien e republikës së re përmes rrugës institucionale dhe jo përmes revoltës së popullit. E para, deputetët të nxirren drejtpërdrejtë nga njerëzit. Vendosja e parimit “recall” në Kushtetutë, thërritja mbrapsht e të zgjedhurit, nëse abuzon me pushtetin. Qytetarët nuk kanë pse të presin zgjedhjet e ardhshme për ta shkarkuar. Ky është produkt i çadrës së lirisë, i diskutimeve me intelektualët për të gjetur modelin, ku qytetarët ta kenë pushtetin në dorë, jo politikanët.

Sokol Balla: Kjo do të ishte mazhoritar i pastër…

Lulzim Basha: Unë jam për mazhoritar, por rregullat në Kushtetutë do të bëjnë që qytetarët ta shkarkojnë. Në mendimin tim është që kjo të aplikohet edhe për Kryeministrin. Ka një sforcim të Edi Ramës në këto zgjedhje, që nuk merret me ekonominë, punësimin dhe shëndetësinë. Unë kam pesë ditë që e ftoj debat dhe e ftoj edhe nga kjo studio. Le ta bëjë këtu në Top Channel debatin. Hajde ta bëjmë këtu debatin Edi Rama dhe të bëjmë bilancet. Nuk e shtyn dot 3 javë e gjysmë me estradë se bëhet qesharake. Eja dhe tregoju shqiptarëve ku i ke 300 mijë vendet e punës.

Sokol Balla: FMN thotë se ka një rritje ekonomike

Lulzim Basha: Çfarë rritje?! Edhe vetë Edi Rama e di që nuk ka rritje ekonomike reale për shqiptarët. Shqiptarët sot thonë që nuk kemi punë, s’kemi lekë, taksat janë rritur, çmimet janë rritur dhe Edi Rama e ka për detyrë politike t’u shpjegojë shqiptarëve ku i ka vendet e punës. Palmat nuk rrisin ekonominë. Si e rritka palma ekonominë? Palma është e bukur dhe bën hije. Sot energjinë elektrike të varfërit e paguajnë më shtrenjtë se të pasurit, ky është një paradoks i këtij që thotë vetes të majtë.

Sokol Balla: E si do të rregulloni ju këtë?

Lulzim Basha: Faturaj e ujit dhe energjisë për familjet në asistencë do të paguhet nga buxheti i shtetit. Shqipëria nën drejtimin tim brenda 6 muajve të parë do të ketë çmimin e energjisë më të lirë në rajon dhe cmimin e hidrokarbureve më të lirin në rajon. 

Sokol Balla: Deri në ç’pikë do të vazhdojë kjo marrëveshje? A është edhe bazë për koalicion mes dy partive të mëdha, që shumë njerëz e shohin si opsion edhe për qetësi dhe paqe sociale dhe pakt reformash që keni rënë dakord? A është një opsion?

Lulzim Basha: Jo, nuk është kjo marrëveshja. Marrëveshja ishte për të garantuar zgjedhje të lira, reformë kushtetuese, reformë zgjedhore dhe votim elektronik dhe numërim elektronik. Nuk na përputh asgjë, sepse gjithçka që Rama ka bërë është në drejtim të kundërt me interesin e vendit. Ne do të fitojmë këto zgjedhje sepse programi i PD me vulat e ekspertëve ekonomikë të Angela Merkel është zgjidhja që nxjerr Shqipërinë nga kriza. Ne me këtë program dhe ekip kërkojmë dhe do të marrim votën për katër vitet e ardhshme. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë dhe do të punojmë për rritjen ekonomike të vendit.ulja e taksave, ulja e TVSH-së në 15 përqind, që u kthejmë shqiptarëve 400 mln euro në vit, taksën e sheshtë 9 përqind, qindra-miliona euro, që biznesi ose i paguan dhe i merr Rama i bën palma, ose është në informalitet ose është i falimentuar. 1 vit stazh për 10 mijë studentë me një rrogë 200 mijë lekë në muaj me marrëveshje me biznesin. Subencione për fermerët, që kjo partia tjetër e ka shndërruar në tollona, në triska.

Sokol Balla: Pse e godisni kaq shumë LSI?

Lulzim Basha: Unë nuk e godas LSI, unë them të vërtetat. Unë do të bëj gjithçka për vende pune, do të bëj gjithcka për t’u siguruar shqiptarëve vende pune. Do të jem kryeministri i ekonomisë dhe i vendeve të punës, jo i fasadave. Kjo është platforma e ekonomisë së fortë. Për një të ardhme të sigurtë, fëmijët do të kenë drekën falas në shkolla dhe dy orë pas mësimit, sipas dëshirës të qëndrojnë në shkollë për kurse të ndryshme. Do të rrisim pensionet dhe rrogën minimale. Unë kam vetëm një ambicie në jetë, t’u jap shqiptarëve mundësitë që m’u dhanë mua.

Sokol Balla: Në 2013 dhe në 2015 u tha se LSI u votua nga mbështetës të Partisë Demokratike, a është kjo arsyeja pse ju kërkoni me ngulm që të hedhin teserat e LSI-së dhe të rikthehen në shtëpi?

Lulzim Basha: Kush është me LSI le të rrijë me LSI, por LSI kudo qeveris me klientelizëm, si rasti në Shkodër ku kërkonin teserën e partisë për të dhënë hipotekën e gjyshit. Matrapazllëqet kanë marrë fund.
 
Sokol Balla: Shifrat janë shifra dhe ky sistem, kësaj herë futet në një fazë të re eksperimentale dhe për herë të parë formacionet do të garojnë të vetme dhe kjo mund të ndodhë që të ketë aleancë, ju e përjashtoni një aleancë me LSI?

Lulzim Basha: Pazari i vjetër politik ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta