“Top Story”, Ahmetaj: Në 3 vjet lamë pas krizën. Ja projekti për mandatin e dytë

31/05/2017 00:00

Ekonomia dhe ecuria e saj në këto 4 vjet të qeverisjes së majtë ka qenë në fokus të emisionit “Top Story”, këtë të mërkurë në Top Channel.

Të pranishëm në studion e gazetarit Sokol Balla kanë qenë ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj; kryetari i Business Albania, Luan Bregasi; nënkryetari i Dhomës së Tregtisë, Arben Shkodra dhe gazetari Klodian Tomori.

Debati ka nisur me një pyetje të moderatorit Balla drejtuar ish-ministrit Ahmetaj, mbi ndryshimet që ka pësuar ekonomia shqiptare në këto 4 vjet.

Arben Ahmetaj: Së pari, rënia e rritjeve të ekonomisë erdhi në rënie, duke kapur pikën më të ulët në vitin 2013. Për një qytetar, kjo është një shifër, por për ta materializuar mund të them se shkruar nga Banka Botërore, kjo shënon kulmin e varfërisë në Shqipëri. Shumëkush mund të thotë se ka qenë faji i krizës, por krizë ka sot dhe Greqia, ndërsa Shqipëria është në rritje. Borxhi publik në 2013 arriti në 70.4 për qind dhe në bazë të kalkulimeve të FMN, borxhi shkonte 84 për qind. Ndërkohë, edhe të ardhurat tatimore ishin në rënie. Vetëm në vitin 2013 pati një goditje gati 200 milionë euro, nga zgjedhjet parlamentare dhe në momentin që ne morëm detyrën deficiti buxhetor ishte ezauruar 100 për qind. Thënë ndryshe, një shtet i falimentuar. Ajo qeveri u kishte borxh personave me aftësi të kufizuar 44 milionë dollarë, ndërsa kishte TVSH të parimbursuar rreth 200 milionë dollarë dhe punët publike që kishin shkaktuar një mal me borxhe ndaj sipërmarrjeve private, që ishin buzë falimentimit. Pra ishte një rënie drejt pikës së vdekur të ekonomisë dhe sigurisht, nëse ne do të vazhdonim siç e gjetëm nuk do të kishte më paga për policët, mjekët, mësuesit dhe as pensione. Sot mund të themi me modesti para qytetarëve se kemi bërë një rrotullim pozitiv të ekonomisë dhe unë do sjell këtu ato që thonë BB, FMN dhe institucionet e tjera: kemi lënë pas krizën, kemi hyrë në një trajektore rritjeje të qëndrueshme dhe po rritemi. Edhe pse është një rritje e brishtë, kemi lënë pas krizën e financave publike dhe për herë të parë në një vit elektoral jemi në suficit dhe për herë të parë depozita e qeverisë është e shëndetshme. Të ardhurat janë vetëm në rritje, likuiditetet e qeverisë janë të siguruara. Sot rritja është 3.46 për qind, taksa progresive i ktheu shqiptarëve në vit 120 milionë dollarë dhe po të ecim më tej janë rreth 200 mijë vende të reja pune, nga të cilat rreth 130 mijë janë të okupuara.

Sokol Balla: Janë larg 300 mijëshit

Arben Ahmetaj: Janë larg. Shumë janë bërë, shumë ka për të bërë. Për herë të parë do ta çojmë papunësinë në kuotë njëshifrore. Ndërkohë, investimet e huaja kanë shkuar në 1 miliard euro. Sot ekonomia ka një trajektore pozitive krahasuar me 2013, por e lamë pas gropën që gjetëm dhe skenarin grek që ishte përgatitur e zhvilluar dhe lënë në tryezën e kryeministrit Rama si një bombë.

Sokol Balla: Zoti Shkodra, debati kryesor mes partive ka qenë taksat, biznesi si i përjetoi ato? Pas 4 viteve taksa progresive duhet të qëndrojë, apo PS duhet ta rivizionojë?

Arben Shkodra: Taksa e sheshtë është më e preferueshme dhe më e kollajtë për sipërmarrësit. Besoj se në këto 4 vite duhet të kishim bërë më shumë në mbledhjen e të ardhurave. Ne e vlerësuam aksionin informalitet, por pastaj pati një lloj rënieje të presionit.

Sokol Balla: Qeveria u akuzua se kishte patur një dorë të hekurt ndaj biznesit, ndërsa në 2 vitet e fundit u bë më miqësore, apo jo?

Luan Bregasi: Do të thosha se përpos aksionit se shkëputja nga skema e TVSH-së ktheu informalitetin. Biznesi i madh ka gjetur shtigjet për t’u kthyer në situatën e mëparshme. Konsolidimi fiskal ka ndodhur, por e shoqëruar me çfarë? Sa është konkurrueshmëria e Shqipërisë në rajon? Fatkeqësisht ne flasim për ekonominë në muajin e fundit të fushatës. Si ka mundësi të ndodhë kjo kur gjysma e akteve të qeverisë flasin për ekonominë, taksat, tregun? Ka patur një krizë të gjatë politike, por sërish është një kohë shumë e shkurtër për të diskutuar.

Sokol Balla: Po premtimi i mazhorancës për një model të ri ekonomik

Luan Bregasi: Mendoj se politikat e mazhorancës në këto 4 vjet si model kanë funksionuar shumë mirë. Së pari sepse ky grupim politik krijoi një profil respekti për sipërmarrësin. Këtë e reflektoi administrata tatimore dhe doganore, sepse shleu 800 milionë euro borxhe ndaj biznesit. Rimbursimi i TVSH-së ishte një plagë e vjetër. Tani është bërë online, gjë që tregon se shteti respekton biznesin dhe mendoj se rezultatet kanë qenë të mira. Mund të bëhet më mirë, por është rritur besimi i sipërmarrjes.

Arben Ahmetaj: Po të shohësh modelin e ri ekonomik, ideator i tij ka qenë kryeministri. Modeli është ku e mbështet zhvillimin ekonomik, tek prodhimi vendas dhe eksporti. Prodhimi vendas ka rritje serioze. Për herë të parë rritja ekonomike solli punësim. Pati rritje të eksportit. Përveç se kemi eksportuar më shumë, kemi zgjeruar gamën. Po të mbani mend paketën për fasonin, për bujqësinë, për turizmin dhe reformat e tjera shkojnë në një drejtim. Këto prekin filozofinë e modelit, zbatimi i ligjit.

Sokol Balla: Tomorri, a ka një ndikim të parave të drogës në ekonomi?

Klodian Tomorri: Kemi parë një zhvlerësim të lekut ndaj euros. Ka shumë aktorë në treg që thonë se ka një mbiofertë të euros, që është e pajustifikueshme deri në këtë pikë. Ndoshta ish-ministri mund ta dije më mirë, a është ndikuar ekonomia nga ekonomia e zezë?

Arben Ahmetaj: Dua të bëj dy ndarje. E para është që ekonomia ilegale është gangrenë. Nuk lulzon ekonomia nga kanabisi. Ajo që unë dua të sjell në vëmendjen e qytetarit është se po të marrësh vijën e euros, ajo ka një sjellje normale duke pasur parasysh investimet, 1.5 miliard euro të ardhura nga turizmi, të ardhurat nga eksportet dhe pastaj ka një rënie të stabilizuar të remitancave. Sjellja euro, dollar, lek është e arsyeshme.

Në vijim të publikimit të projekteve të qeverisë për mandatin e dytë, ish-ministri Ahmetaj ka deklaruar se, “do të shtohen 220 mijë vende të reja pune, do vazhdojmë progresivitetin tek të ardhurat dhe do të kemi një paketë për bujqësinë e ardhur nga tre burime me të ardhura mbi 300 milionë euro, për të lënë mbrapa primitivitetin e bujqësisë shqiptare në 25 vitet e fundit”, ka thënë Ahmetaj.

Sokol Balla: Zoti Shkodra, si e shihni këtë?

Arben Shkodra: Zoti Ahmetaj e ka paraqitur paketën, por ne do të donim shtyllat të shkruara. Të ulësh borxhin në 60 për qind është sfidë e madhe! 220 mijë vende pune, po të vijojmë me këto shifra çdo 4 vjet do të na duhet të marrim punëtorë nga jashtë. A mund të jemi më të përmbajtur? Si do t’i punësojmë, cilët do punësojmë? Cilat janë profesionet? Shkollat profesionale ku janë? Pra, 220 mijë vende pune ku do të jenë? Ne si ekonomi dhe sipërmarrës duhet të kemi më shumë lehtësi për të punësuar, ndaj nuk jam dakord me këtë shifër. Rritja e pagave është pozitive, por kompanitë e mëdha nuk preken prej saj. Do të ndikojë tek bizneset e vogla dhe të mesme. Sa i përket dividentit, skema e dividentit me fitimin nuk funksionon. Një sipërmarrës do të paguajë 15 për qind dhe pastaj do t’i ndajë dhe do t’i mbahen 6 për qind. Po shohim për investitorin, apo se si ta riinvestojmë? A ka mundësi për një kolaudim? Sa për taksën e sheshtë ju, zoti ministër keni qenë stoik, por a do ketë ndryshime?

Luan Bregasi: Oferta është ambicioze, një ofertë që prek sipërmarrjen. Po të ndalesh tek paga minimale, ne jemi dakord që ajo të rritet. Por kemi merakun për atë kategori si fasonët, që vetëpunësohen. Në sipërmarrjet private mund të bëhet edhe 50 mijë lekë të reja paga minimale. Dua ta përshëndes këtë, por neve nuk na intereson kjo. Duhet të ketë diçka për industrinë vendase që lidhet me koston e prodhimit. Ju keni bërë disa gjëra, por ndoshta për energjinë elektrike mund të jetë pjesë e paketës suaj…

Sokol Balla: Tomorri, keni diçka për të thënë?

Klodian Tomorri: Po të heqim shifran e punësimit, premtimi për 220 mijë vende të tjera pune, pjesa tjetër nuk është ndonjë ndryshim por vijimi i asaj që ka nisur 4 vjet më parë. Kryesore do të jetë hapja e vendeve të punës, krahasuar me atë që qeveria premtoi 4 vjet më parë. Pastaj një nga sfidat më të mëdha është si të marrin bizneset kredi, sepse sipërmarrjet nuk po marrin.

Arben Ahmetaj: Sfida jonë është të promovojmë biznesin, në mënyrë që të marrë risk. Një qeveri që ul borxhin është hapi i parë për të krijuar besim tek sipërmarrja. Vendet e punës janë një sfidë më vete, por 138 mijë vende nuk janë pak. Pastaj nuk është motiv dividenti për të investuar apo mos investuar. Dividenti është një moment kur ne kemi taksuar kapitalin me 15 për qind dhe kur sipërmarrësi kalon tek kapitali i tij taksohet edhe njëherë. Ajo që duhet theksuar është çfarë duhet të bëjmë me uljen e kostos dhe ne kemi një detajim për të kaluar nga një nivel i vlerës së ulët të shtuar në një nivel më të lartë.

Arben Shkodra: Po për blerjen e energjisë?

Arben Ahmetaj: Energjia? Patjetër që dëshirojmë ta ulim dhe pranojmë se është më i lartë nga sa do të donim të ishte. Në përputhje me ofertën e energjisë ne kemi mundësinë të krijojmë një balancë të re të çmimit me sipërmarrjen. Konkurrueshmëria nuk është rrjedhojë e uljes së kostove artificiale nga qeveria, por është rrjedhojë e reformave në favor të sipërmarrjes që ulin kostot. Dhe tek energjia ne kemi mundësi që ta rishikojmë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA