Gjyqi Doshi-Frroku-Bami, gjykata thërret gjithë politikanët VIP

31/05/2017 00:00

Të gjithë politikanët të cilët do të pyeten si dëshmitarë në procesin penal Doshi-Frroku-Bami do të vijnë në Gjykatën e Lartë pas fushatës zgjedhore.

Në fakt, këtë tolerancë ia kërkoi gjykatës prokurori i dosjes, Adnan Xholi, i cili i tha Kolegjit Penal se për ekonomi gjyqësore, pasi dëshmitarët janë përfshirë në fushatë elektorale, politikanët dëshmitarë të thirren në një moment tjetër.

Kërkesa u pranua nga kolegji, që vendosi datën 21 qershor si seancën, kur para trupës gjyqësore do të radhiten provat shkresore të akuzës, ndërsa 49 dëshmitarët do të dëgjohen më vonë. I vetmi dëshmitar që u refuzua për tu dëgjuar është Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i kërkuar më herët nga avokatët mbrojtës. Gjykata tha se Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të dëshmojë, pasi ka kryer veprime hetimore në dosjen e bujshme 2014, që vuri në lëvizje drejtësinë pas pretendimeve se ndaj deputetit Tom Doshi ishte duke u përgatitur një plan eleminimi.

Por, pas veprimeve hetimore, Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami përfunduan të pandehur për kallzim të rremë. Sipas prokurorisë, ata bashkëpunuan me njëri-tjetrin për të krijuar prova të rreme në dëm të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Mes dëshmitarëve që do të pyeten në Gjykatën e Lartë janë Ilir Meta, Edi Rama, Monika Kryemadhi, Sali Berisha, Petrit Vasili dhe Saimir Tahiri. Ndërkohë, gjykata rezervoi të drejtën për tu shprehur në lidhje me kërkesën për të realizuar ballafaqim mes Tom Doshit dhe Saimir Tahirit, Ardian Cipës dhe Artan Didit, me arsyetimin se për këtë kërkesë do të jepet një vendim pasi të dëgjohen dëshmitë e tyre.

Top Channel