Fushë-Krujë, në spital 11 punonjëse të një fabrike këpucësh

31/05/2017 10:30

13 punonjëse të një fabrike këpucësh në Bubq  u paraqitën në urgjencën e  qendrës shëndetësore të Fushë-Krujës me probleme shëndetësore. 

“Ishte një gjendje relativisht alarmante dhe u angazhuam të gjithë mjekët e stafi. Rreth orës 08.45, 8 punonjëse të një ndërmarrjeje këpucësh, më pas numri shkoi në 13, erdhën me probleme të frymëmarrjes, gjendje të fikëti, dridhje duarsh e dhembje koke. Nuk e dimë arsyen dhe as kush është shkaku që e ka shkaktuar këtë gjendje. Ne njoftuam të gjitha instancat përkatëse që të përcaktohet shkaku i kësaj gjendjeje”, thotë mjeku i urgjencës, Kastriot Mustafa, mjek i urgjencës.

Të shtruara në urgjencën shëndetësore me simptoma të helmimit, punonjëset e kanë të vështirë të tregojnë se ccfarë u ka ndodhur.

Pacientet i janë nënshtruar trajtimit mjekësor dhe analizave të gjakut. 11 prej tyre janë larguar në banesë, duke u këshilluar të qëndrojnë në ambjente të hapura dhe të freskëta e të konsumojnë sa më shumë lëngje. Dy punonjëse vazhdojnë të qëndrojnë nën kontroll mjekësor.

Mungesa e oksigjentit, ndikimi i kimikateve që përdoren në fabrikë, si dhe cclirimi i gazrave që lëshojnë materialet e përdorura në prodhim dyshohet të jenë, sipas mjekëve, shkaktarë të mundshëm të kësaj gjendjeje shëndetësore.

Ndërkohë në ambjentet e fabrikës ka shkuar grupi hetimor, përfshirë dhe inspektorë të mjedisit dhe shëndetësisë të cilët po hetojnë në ambientet e fabrikës si dhe po marrin dëshmitë e drejtuesve të fabrikës dhe punonjëseve për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe shkakun e helmimit të 13 punonjëseve.

Top Channel